Përfaqësuesit e 32 vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë sot në Bruksel shkeljet e fundit të hapësirës ajrore të Polonisë nga raketat ruse, gjatë sulmeve të Moskës ndaj Ukrainës.
Një zëdhënës i Aleancës bëri të ditur se nuk është thirrur një mbledhje e jashtëzakonshme për këtë çështje, por diskutimet do të zhvillohen në kuadër të konsultimeve të rregullta mes vendeve anëtare.
Sipas autoriteteve polake, tri raketa ruse hynë të premten në hapësirën ajrore të Polonisë, vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian, gjatë sulmeve ajrore të Rusisë ndaj Ukrainës. Raketat, sipas raportimeve të qeverisë polake, ranë në pjesën juglindore të vendit.
Incidenti ka ngritur shqetësime për sigurinë e kufijve lindorë të Aleancës, ndërsa NATO po vlerëson rreziqet e mundshme dhe nevojën për masa shtesë mbrojtëse.
Diskutimet në Bruksel zhvillohen paralelisht me sesionin e 72-të vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Berlin.
Në aktivitet pritet të marrin pjesë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, si dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do t’u drejtohet pjesëmarrësve përmes videokonferencës.
Më vonë gjatë ditës, kancelari gjerman Friedrich Merz pritet të presë Rutte në selinë e Kancelarisë Federale në Berlin, ku çështjet e sigurisë europiane dhe zhvillimet në Ukrainë pritet të jenë në qendër të diskutimeve.
Gjatë vizitës së tij të një dite më parë në Poloni, sekretari i përgjithshëm i NATO-s deklaroi se Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Europë do të ndërmarrë të gjitha vlerësimet e nevojshme për të identifikuar rreziqet ndaj sistemit të parandalimit dhe mbrojtjes së Aleancës.
Rutte theksoi se do të shqyrtohet gjithashtu nëse incidentet e fundit kërkojnë ndryshime në masat ekzistuese të sigurisë.
Shkeljet e raportuara të hapësirës ajrore polake vijnë në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes NATO-s dhe Rusisë, ndërsa lufta në Ukrainë mbetet një nga sfidat kryesore për sigurinë europiane.
Konsultimet e sotme synojnë të vlerësojnë incidentet dhe të koordinojnë qëndrimet e vendeve anëtare për mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe forcimin e sigurisë në krahun lindor të Aleancës.


