Hoxha në Hungari: Bashkëpunimi parlamentar, kyç për integrimin në BE

12 Nov 2026 • 17:32
Shpërndaje:

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim në Asamblenë Kombëtare të Hungarisë me kryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme, Márton Hajdu, dhe kryetaren e Komisionit për Çështjet Europiane, Ildikó Éva Sopov.

Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve dhe mbështetja e Hungarisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit, Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Budapestit ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë, duke nisur nga ratifikimi i hershëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit deri në fazën aktuale të negociatave të anëtarësimit.

Reklamë Ola

Fokus te bashkëpunimi mes parlamenteve

Ministri bëri të ditur se gjatë bisedimeve u ra dakord për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit parlamentar përmes aktivizimit të grupeve të miqësisë dhe shkëmbimit të përvojave praktike mbi legjislacionin e Bashkimit Europian.

Reklamë InterMedika

Sipas tij, bashkëpunimi mes komisioneve parlamentare mund të ndihmojë Shqipërinë në përmbushjen e detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit.

“Ndërsa Shqipëria punon për mbylljen e kapitujve të tjerë të negociatave, një dialog më i ngushtë mes komisioneve tona parlamentare mund të jetë një vlerë e shtuar e rëndësishme”, deklaroi Hoxha.

“Zgjerimi i BE-së nuk është vetëm punë e qeverive”

Kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se parlamentet kanë një rol të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit, jo vetëm në miratimin e reformave, por edhe në mbikëqyrjen e zbatimit të tyre.

“Parlamentet miratojnë reformat, mbikëqyrin zbatimin e tyre dhe, në fund të procesit, ratifikojnë anëtarësimin”, u shpreh ministri.

Hoxha nënvizoi se forcimi i marrëdhënieve mes institucioneve ligjvënëse kontribuon në rritjen e legjitimitetit demokratik të procesit të zgjerimit.

“Një bashkëpunim më i fortë mes tyre i jep procesit legjitimitet më të thellë demokratik dhe e mban integrimin europian pranë qytetarëve, të cilëve ai duhet t’u shërbejë”, shtoi ai.

Takimi në Budapest u përqendrua te mundësitë për konkretizimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, ndërsa Shqipëria vijon punën për përmbushjen e reformave dhe mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian.