Rama nga Dublini: Emigracioni do të ulet kur Shqipëria t’u ofrojë qytetarëve më shumë mundësi

12 Nov 2026 • 09:57
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka komentuar fenomenin e emigracionit në Shqipëri, duke e lidhur largimin e qytetarëve me faktorë ekonomikë, historikë dhe shoqërorë, si dhe me mundësitë që vendet e tjera ofrojnë për një jetë më të mirë.

Gjatë një bashkëbisedimi në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), në Dublin, Rama iu përgjigj një pyetjeje mbi kontrastin mes rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe numrit të lartë të qytetarëve që vazhdojnë të emigrojnë.

Kreu i qeverisë theksoi se emigracioni është një proces kompleks, i cili nuk lidhet vetëm me zhvillimin ekonomik, por edhe me mundësinë që qytetarët të zgjedhin mes qëndrimit në vend dhe largimit jashtë tij.

Reklamë Ola

Rama merr shembull Irlandën: Qytetarët duhet të kenë arsye për të qëndruar

Duke iu referuar historisë së Irlandës, kryeministri kujtoi se edhe ky vend është përballur për një periudhë të gjatë me emigracionin, kur largimi konsiderohej nga shumë qytetarë si e vetmja rrugë për të siguruar një të ardhme më të mirë.

Reklamë InterMedika

Sipas Ramës, situata nisi të ndryshonte kur zhvillimi ekonomik u shoqërua me krijimin e mundësive konkrete për qytetarët, duke e kthyer qëndrimin në vend në një alternativë reale.

“Kjo nisi të ndryshojë jo thjesht kur Irlanda nisi të zhvillohej, por kur Irlanda filloi t’u jepte njerëzve arsyet për të bërë një zgjedhje midis largimit dhe qëndrimit dhe jo largimit si e vetmja zgjidhje”, deklaroi Rama.

Ai shprehu bindjen se një zhvillim i ngjashëm do të ndodhë edhe në Shqipëri, ndërsa vendi vijon procesin e afrimit ekonomik me Bashkimin Europian.

Sipas kryeministrit, sfida kryesore mbetet krijimi i kushteve që qytetarët të mos e shohin emigracionin si mundësinë e vetme për të përmirësuar jetesën.

Ndikimi i rrjeteve sociale te të rinjtë që zgjedhin të largohen

Rama u ndal edhe te ndikimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale në mënyrën se si të rinjtë e perceptojnë jetën jashtë vendit.

Ai argumentoi se përmes telefonave inteligjentë, të rinjtë ekspozohen vazhdimisht ndaj imazheve të vendeve më të zhvilluara, të cilat shpesh paraqiten në mënyrë të idealizuar.

Sipas kryeministrit, kjo ndikon veçanërisht te të rinjtë që jetojnë në zona të thella të Shqipërisë, ku mundësitë ekonomike dhe profesionale janë më të kufizuara.

“Është një botë e re që të rinjve u shkon përmes ekraneve të smartfonëve dhe shfaqet jo me ngjyrat e saj të vërteta, por me ca ngjyra të mrekullueshme”, u shpreh Rama.

Ai solli si shembull një të ri që jeton në një zonë të largët të Shqipërisë dhe që, përballë mundësive të kufizuara, mund të zgjedhë të largohet drejt një vendi ku mendon se e ardhmja është më e afërt.

“Pse mos të shkoj tek e ardhmja që është larg një orë sesa të pres një të ardhme që do dojë 10 vjet”, tha Rama, duke ilustruar mënyrën se si, sipas tij, të rinjtë e shohin emigracionin.

Izolimi gjatë komunizmit, një tjetër faktor historik

Kryeministri e lidhi fenomenin e emigracionit edhe me historinë e Shqipërisë gjatë regjimit komunist, kur qytetarëve iu mohua për dekada liria e lëvizjes.

Rama kujtoi se shqiptarët kanë pasur historikisht një traditë të lëvizjes dhe emigrimit, por kjo u ndërpre gjatë periudhës së diktaturës.

“Nuk duhet harruar që shqiptarët kanë qenë përherë njerëz që kanë lëvizur dhe befas në mes të shekullit të mëparshëm u mbyllën”, deklaroi ai.

Kryeministri e përshkroi regjimin komunist si një sistem që e izoloi Shqipërinë nga pjesa tjetër e Europës, duke e krahasuar vendin e asaj periudhe me Korenë e Veriut.

“Për gjysmë shekulli nuk na lejohej të lëviznim dhe largimi nga vendi ishte tradhti e lartë”, theksoi Rama.

Sipas tij, kjo e kaluar historike është një nga faktorët që duhen marrë parasysh për të kuptuar lëvizjet migratore të shqiptarëve pas ndryshimit të sistemit politik.

“Ka qytetarë që largohen, por edhe të tjerë që po kthehen”

Në përfundim të diskutimit, Rama pranoi se emigracioni vazhdon të mbetet një sfidë për Shqipërinë, por theksoi se krahas largimeve ka edhe qytetarë që po rikthehen në vend.

Sipas tij, ekuilibrimi i këtyre lëvizjeve do të varet nga zhvillimi ekonomik dhe nga aftësia e Shqipërisë për të ofruar kushte jetese më të përafërta me ato të vendeve të Bashkimit Europian.

“Ka shumë faktorë edhe pse njerëzit vazhdojnë të largohen, ka edhe njerëz që po kthehen dhe do të ekuilibrohet si për çdo vend tjetër kur Shqipëria të nisë t’u ofrojë njerëzve diçka të ngjashme me mesataren e Bashkimit Europian”, deklaroi kryeministri.

Ai shtoi se deri në arritjen e këtij niveli zhvillimi, vendi do të duhet të vazhdojë të përballet me sfidën e emigracionit.

Deklaratat e Ramës në Dublin e vendosin fenomenin e emigracionit në kontekstin e zhvillimit ekonomik, trashëgimisë historike dhe ndryshimeve shoqërore, ndërsa krijimi i mundësive për punësim dhe përmirësimi i kushteve të jetesës mbeten çështje të rëndësishme për të ardhmen e vendit.