Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), do të hartojë një plan kombëtar monitorimi për kontrollin periodik të produkteve ushqimore, me fokus garantimin e sigurisë ushqimore, përmirësimin e etiketimit dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2027 në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, njoftoi se kontrollet intensive do të nisin më 1 janar 2027.
“Duke filluar nga 1 janari do të nisim një punë intensive kontrolli nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në bashkëpunim edhe me Laboratorin e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV)”, deklaroi Salla.
Sipas ministrit, plani kombëtar do të përfshijë inspektime në terren dhe analiza laboratorike për të verifikuar përputhshmërinë e produkteve ushqimore me kërkesat ligjore dhe standardet evropiane.
Ai theksoi se fondet e nevojshme për realizimin e këtij procesi do të planifikohen që në fillim të vitit, në mënyrë që monitorimi të kryhet në mënyrë periodike.
Në fokus produktet e qumështit dhe etiketimi
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet sektorit të qumështit dhe produkteve të tij, ku kontrollet do të përqendrohen edhe te saktësia e informacionit të deklaruar në etiketa.
Ministri Salla theksoi se etiketimi i saktë është një element i rëndësishëm për informimin dhe mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe për garantimin e transparencës në tregun ushqimor.
“Etiketimi do të mbulojë një pjesë shumë të mirë të të gjithë shqetësimeve që lidhen me konsumatorin shqiptar, por edhe për sigurinë ushqimore. Këtë proces ne do ta kryejmë bashkë me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit”, u shpreh ai.
Sipas ministrit, ndaj subjekteve që nuk respektojnë kërkesat ligjore dhe standardet e etiketimit do të merren masa administrative, të cilat mund të shkojnë deri në bllokimin e aktivitetit.
Këto masa synojnë të forcojnë kontrollin mbi produktet e hedhura në treg dhe të parandalojnë praktikat që cenojnë të drejtat e konsumatorëve.
900 subjekte ushqimore do të kategorizohen sipas standardeve evropiane
Gjatë raportimit, Salla u ndal edhe te procesi i kategorizimit të 900 subjekteve të sektorit ushqimor, i cili po realizohet në bashkëpunim me ekspertë të Bashkimit Evropian dhe një ekip ekspertësh nga Lituania.
Sipas tij, mbi 600 subjekte janë aktualisht të përfshira në këtë proces, ndërsa objektivi është që deri në fund të vitit 2026 të përfundojë kategorizimi i të gjitha 900 subjekteve në vend.
Ministri shpjegoi se subjektet do të klasifikohen në katër kategori, në varësi të nivelit të përmbushjes së kërkesave higjieno-sanitare dhe standardeve të sigurisë ushqimore.
“Kategoria e parë përfshin subjektet që plotësojnë të gjitha standardet evropiane, ndërsa kategoritë e tjera parashikojnë përmbushjen graduale të kushteve dhe investimeve të kërkuara nga AKU”, deklaroi Salla.
Ai paralajmëroi se për subjektet që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara do të parashikohet mbyllja e aktivitetit.
Procesi synon të identifikojë nivelin e përputhshmërisë së operatorëve ushqimorë me standardet evropiane dhe investimet e nevojshme për përmirësimin e kushteve të prodhimit dhe përpunimit.
Shtatë laboratorë të rinj, njëri për analizat e qumështit
Një tjetër masë e paralajmëruar nga ministri është ngritja e shtatë laboratorëve të rinj, në kuadër të forcimit të kapaciteteve analitike dhe kontrollit të sigurisë ushqimore.
Salla bëri të ditur se njëri prej laboratorëve do të jetë i dedikuar për analizat e qumështit, me synimin për të mundësuar kryerjen e analizave të akredituara në përputhje me kërkesat e tregut dhe standardet evropiane.
Forcimi i infrastrukturës laboratorike pritet të mbështesë kontrollet zyrtare dhe verifikimin e cilësisë së produkteve ushqimore.
Projekt prej 13,5 milionë eurosh me BE-në dhe Gjermaninë
Ministri njoftoi gjithashtu se përmirësimi i sistemit të kontrollit ushqimor do të mbështetet nga një projekt me vlerë 13,5 milionë euro, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe qeverinë gjermane.
Projekti synon forcimin e kapaciteteve profesionale të inspektorëve dhe personelit laboratorik, duke kontribuar në përmirësimin e sistemit të monitorimit dhe kontrollit të produkteve ushqimore.
Sipas Sallës, këto investime dhe masa do të ndihmojnë në adresimin e problematikave të sektorit të qumështit dhe përpunimit të tij, si dhe në rritjen e transparencës për konsumatorët.
“Këto masa synojnë të adresojnë problematikat e sektorit të qumështit dhe përpunimit të tij, duke garantuar cilësinë e produkteve, transparencën për konsumatorët dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian”, deklaroi ministri.
Plani kombëtar i monitorimit, kategorizimi i operatorëve ushqimorë dhe investimet në laboratorë janë pjesë e masave të prezantuara nga Ministria e Bujqësisë për forcimin e sistemit të sigurisë ushqimore dhe përafrimin e tij me kërkesat e Bashkimit Evropian.


