Buxheti 2027, 18 miliardë lekë për bujqësinë: 3 miliardë për sigurinë ushqimore

09 Nov 2026 • 14:51
Shpërndaje:

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të ketë në dispozicion rreth 18 miliardë lekë për vitin 2027, një rritje prej 10% krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2026.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në komisionin parlamentar, ministri Andis Salla deklaroi se financimi do të përqendrohet në mbështetjen e fermerëve, zhvillimin rural, forcimin e sigurisë ushqimore dhe përgatitjen e sektorit për integrimin në Bashkimin Evropian.

Sipas ministrit, politikat do të zbatohen përmes shtatë programeve buxhetore, me fokus zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, peshkimin, ekonominë blu, inovacionin dhe digjitalizimin.

Reklamë Ola

8,4 miliardë lekë për zhvillimin rural

Programi i Zhvillimit Rural do të marrë pjesën më të madhe të buxhetit, me rreth 8,4 miliardë lekë, ose 47% të totalit.

Reklamë InterMedika

Fondet do të përdoren për mbështetjen e fermerëve, investimet në ferma dhe përafrimin e sektorit me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE-së.

Ministri bëri të ditur se 100 milionë lekë shtesë do të shkojnë për Skemën Kombëtare të Mbështetjes, duke financuar pagesat direkte për fermerët, mbështetjen e të rinjve në bujqësi, certifikimin sipas standardeve evropiane dhe investimet në infrastrukturën bujqësore e blegtorale.

Siguria ushqimore, 3 miliardë lekë dhe investime në laboratorë

Një tjetër prioritet i projektbuxhetit është siguria ushqimore, për të cilën janë parashikuar rreth 3 miliardë lekë, 3% më shumë se në vitin 2026. Nga kjo shumë, 371 milionë lekë do të përdoren për investime.

Salla theksoi se projekti EU4FoodSafety, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe qeveria gjermane, do të mbështesë modernizimin e kontrolleve zyrtare, inspektimet e bazuara në risk dhe forcimin e kapaciteteve laboratorike.

Në këtë kuadër, parashikohet forcimi i kontrolleve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor, nga ferma deri te konsumatori, si dhe përmirësimi i gjurmueshmërisë së produkteve.

Ministri u ndal edhe te Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), ku synohet zgjerimi i metodave të validuara dhe të akredituara të analizave.

“Në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë synohet zgjerimi i metodave të validuara dhe të akredituara të analizave, përfshirë ato për nitratet, metalet e rënda, mbetjet veterinare, vajin e ullirit dhe mjaltin”, deklaroi Salla.

Për shpenzimet operative të institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore janë planifikuar 694,1 milionë lekë, një rritje prej 4,5% krahasuar me vitin paraardhës.

Këto fonde do të mbështesin kontrollet zyrtare, survejancën veterinare dhe fitosanitare, si dhe funksionimin e laboratorëve zyrtarë.

Sipas ministrit, forcimi i sigurisë ushqimore është i domosdoshëm jo vetëm për mbrojtjen e konsumatorëve, por edhe për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare dhe zgjerimin e eksporteve drejt tregjeve evropiane.