Francë, bie pjesëmarrja në protesta, 232 të arrestuar pas përplasjeve me policinë

08 Nov 2026 • 11:54
Shpërndaje:

Protestat kundër qeverisë dhe rritjes së kostos së jetesës në Francë vijuan të shtunën në disa qytete të vendit, por me një pjesëmarrje dukshëm më të ulët krahasuar me javët e mëparshme.

Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, rreth 146 mijë persona morën pjesë në demonstratat e organizuara në të gjithë vendin, përfshirë 46 mijë në Paris. Organizatorët, nga ana tjetër, raportuan 250 mijë pjesëmarrës në shkallë kombëtare, prej të cilëve 75 mijë në kryeqytet.

Shifrat tregojnë një rënie të ndjeshme të pjesëmarrjes. Më 31 tetor, autoritetet kishin raportuar 320 mijë demonstrues, ndërsa më 24 tetor rreth 410 mijë dhe më 17 tetor afro 550 mijë.

Reklamë Ola

Protestat e fundit u zhvilluan vetëm dy ditë pas grevës kombëtare të 5 nëntorit, ku sipas autoriteteve morën pjesë rreth 575 mijë persona, ndërsa sindikatat pretenduan se numri arriti në 1.6 milionë.

Përplasje në disa qytete, 232 persona të arrestuar

Reklamë InterMedika

Në Paris, marshimi kryesor nga Sheshi i Republikës drejt Sheshit të Kombit u zhvillua përgjithësisht në mënyrë paqësore. Megjithatë, gjatë shpërndarjes së protestuesve u regjistruan incidente dhe ndërhyrje të policisë.

Situata ishte më e tensionuar në Lion, ku rreth 900 persona u mblodhën pranë ish-Manufakturës së Duhanit. Tubimi, i cili nuk ishte autorizuar, u shpërnda nga forcat e rendit, ndërsa një grup prej rreth 200 protestuesish u zhvendos drejt zonës Grange-Blanche.

Incidente dhe përplasje u raportuan gjithashtu në Tuluzë, Grenoble, Marsejë, Nantes dhe Bordo.

Sipas Ministrisë së Brendshme, gjatë demonstratave pati hedhje sendesh dhe mjetesh piroteknike në drejtim të policisë.

Për garantimin e rendit publik, autoritetet angazhuan rreth 70 mijë efektivë policie dhe xhandarmërie në të gjithë vendin.

Bilanci paraprak i publikuar në orën 18:00 raportoi 232 persona të arrestuar.

Lecornu pritet të takohet me sindikatat

Vala e protestave, e cila ka përfshirë Francën prej disa javësh, lidhet me pakënaqësitë për rritjen e kostos së jetesës, pagat, kushtet në arsim dhe financimin e shërbimeve publike.

Lëvizja nisi me mobilizimin e nxënësve dhe studentëve për përmirësimin e kushteve në shkolla dhe universitete, ndërsa më pas iu bashkuan sindikatat dhe grupe të tjera qytetarësh.

Në këtë situatë, kryeministri francez Sébastien Lecornu pritet të zhvillojë të hënën një takim me përfaqësuesit e sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve.

Në fokus të konferencës sociale do të jenë pagat dhe fuqia blerëse e qytetarëve, ndërsa vendi vijon të përballet me tensione politike dhe sociale në prag të zgjedhjeve presidenciale.