Opozita izraelite kërkon largimin e Netanyahut: Rrezikon marrëdhëniet me SHBA-në

04 Nov 2026 • 15:34
Shpërndaje:

Liderë të opozitës izraelite kanë kërkuar largimin e Benjamin Netanyahut, duke paralajmëruar se qëndrimi i tij në pushtet mund të dëmtojë më tej marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe të thellojë izolimin ndërkombëtar të Izraelit.

Reagimet vijnë pas fitores së demokratëve në të dyja dhomat e Kongresit amerikan, një rezultat që opozita izraelite e sheh si ndryshim të rëndësishëm për marrëdhëniet me Uashingtonin.

Kreu i partisë Demokratët, Yair Golan, deklaroi se zgjedhjet amerikane kanë nxjerrë në pah dobësimin e mbështetjes politike për Netanyahun, si mes demokratëve, ashtu edhe në një pjesë të republikanëve.

Reklamë Ola

Sipas tij, vazhdimi i qeverisjes së Netanyahut së bashku me ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, rrezikon ta çojë vendin drejt sanksioneve ndërkombëtare, izolimit diplomatik dhe përplasjeve me aleatin amerikan.

Golan theksoi se Izraelit i nevojitet një qeveri që të rikthejë besueshmërinë ndërkombëtare, të garantojë sigurinë dhe të ndërtojë marrëdhënie strategjike afatgjata.

Reklamë InterMedika

Edhe ligjvënësi Gilad Kariv kërkoi largimin e Netanyahut, duke e akuzuar se ka dëmtuar lidhjet me Partinë Demokratike dhe me një pjesë të konsiderueshme të republikanëve. Ai kundërshtoi gjithashtu krijimin e një qeverie uniteti nën drejtimin e tij.

Kritikat shtojnë presionin ndaj Netanyahut, i cili ka pasur mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa në Izrael mbeten të hapura negociatat për formimin e qeverisë së re.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, blloku i Netanyahut siguroi 53 nga 120 vendet e Knessetit. Partitë hebraike të opozitës morën 48 mandate, ndërsa partitë arabe 19. Asnjëri prej këtyre grupimeve nuk ka i vetëm shumicën e nevojshme prej 61 vendesh për formimin e qeverisë.