Roja bregdetare kineze zhvilloi të shtunën patrullime në ujërat në lindje të Tajvanit, të cilat i përshkroi si operacione rutinë të zbatimit të ligjit.
Zëdhënësi Jiang Lue deklaroi se kontrolli në këto ujëra është forcuar që prej fillimit të tetorit, me synimin, sipas Pekinit, për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e qytetarëve kinezë, përfshirë banorët e Tajvanit.
Ai shtoi se patrullimet do të intensifikohen në zonat që Kina i konsideron nën juridiksionin e saj.
Aktiviteti është pjesë e shtimit të pranisë kineze në lindje të ishullit që prej qershorit. Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të vet dhe nuk i njeh pretendimet e tij për sovranitet, përfshirë ato mbi ujërat përreth.
Autoritetet tajvaneze i kundërshtojnë pretendimet kineze. Sipas tyre, përdorimi i ndërthurur i mjeteve ushtarake, paraushtarake dhe civile tregon se Kina mund të jetë duke ushtruar skenarë për një bllokadë detare.


