Rubio: Zelensky mund të ftohet në G20, vendimin e merr Trump

01 Nov 2026 • 10:56
Shpërndaje:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mund të ftohet në samitin e G20-s në dhjetor në Miami, nëse presidenti amerikan Donald Trump vlerëson se pjesëmarrja e tij mund të sjellë një rezultat pozitiv.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se mundësia mbetet e hapur, por sqaroi se nuk ka ende një njoftim për këtë çështje.

“Bëhet fjalë për një takim në nivel liderësh. Kjo është diçka që i takon Presidentit ta vendosë. Nuk do ta përjashtoja si mundësi”, deklaroi ai.

Reklamë Ola

Rubio tha gjithashtu se po rritet interesi ndërkombëtar për një armëpushim të kufizuar në Detin e Zi, që do të garantonte transportin e pandërprerë të energjisë dhe drithërave nga Rusia dhe Ukraina.

Ai mbrojti nevojën për komunikim me Moskën, duke argumentuar se kontaktet janë të rëndësishme për të shmangur përshkallëzimin dhe për t’i mundësuar Uashingtonit një rol ndërmjetësues.

Reklamë InterMedika

Sipas Rubios, SHBA-ja komunikon shpesh me Ukrainën, po aq ose më shumë sesa me Rusinë, por duhet të ruajë kanalet me të dyja palët.

Ai shtoi se pjesëmarrja e përfaqësuesve rusë në forume ndërkombëtare u jep vendeve të tjera mundësinë t’ia përcjellin drejtpërdrejt Moskës qëndrimet e tyre.