Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, deklaroi se dhuna nuk mund të jetë mënyrë për të shprehur pakënaqësitë, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë të dëgjojnë dhe të adresojnë shqetësimet e qytetarëve.
Ajo i bëri komentet këtë të premte në Elbasan, gjatë takimit të katërt të Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR–Shqipëri, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në vend.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cilësoi shqetësuese episodet e dhunës në protesta dhe bëri thirrje për dialog e tubime paqësore. Sipas tij, qytetarët në demokraci kanë të drejta, por edhe detyrime.
Edhe bashkëkryetari i komitetit, Antonio Mazzeo, dënoi dhunën. Duke u ndalur te pushteti vendor, ai theksoi se reforma territoriale duhet të udhëhiqet nga funksionet dhe përgjegjësitë e bashkive, jo nga interesat elektorale.


