Bashkimi Evropian ka nisur shqyrtimin teknik të Kapitullit 7, për të drejtën e pronësisë intelektuale, në negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar një afat për konferencën e ardhshme ndërqeveritare, ku mund të vendoset mbyllja e tij, raporton Albanian Post.
Çështja u diskutua të enjten, më 29 tetor, në Bruksel, në Grupin e Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE, i njohur si COELA.
Sipas një burimi evropian të cituar nga media, procesi është në fazë paraprake dhe përfshin prezantimin e Komisionit Evropian, të ndjekur nga pyetje e sqarime të shteteve anëtare.
“Është ende herët për të folur për afate”, tha burimi, duke theksuar se planifikimi i konferencës së ardhshme varet nga përparimi në ditët dhe javët në vijim.
Në dokumentacionin e Këshillit të BE-së, të datës 27 tetor, figuron projekti i qëndrimit të përbashkët për Kapitullin 7, pjesë e Grupkapitullit 2 për tregun e brendshëm. Shqyrtimi teknik është hap përgatitor dhe nuk përbën vendim për mbylljen e kapitullit.
Sipas të njëjtit burim, protestat dhe tensionet politike në Shqipëri nuk kanë ndryshuar deri tani qëndrimin e Këshillit dhe presidencës së tij për avancimin e negociatave. Megjithatë, ai nuk përjashtoi ndikimin e zhvillimeve të brendshme në një fazë të mëvonshme.
Shqipëria mbylli përkohësisht Kapitullin 20, për ndërmarrjet dhe politikat industriale, në konferencën e dhjetë ndërqeveritare më 13 tetor në Luksemburg, duke e çuar në katër numrin e kapitujve të mbyllur përkohësisht.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka mbështetur objektivin për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027, duke theksuar nevojën për rezultate të vazhdueshme në reforma, veçanërisht në fushat themelore.
Edhe presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së synon të avancojë me mbylljen e kapitujve të tjerë përpara përfundimit të mandatit të saj.


