“Përtej bilbilave, flakadanëve, rrëmujës, zhurmës dhe dhunës, agjenda europiane e Shqipërisë nuk ndërpritet.” Ky ishte mesazhi i kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla pas seancës së tensionuar të Kuvendit, ku tha se u miratuan 9 ligje që lidhen me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se mazhoranca do të vijojë përmbushjen e reformave të nevojshme për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian, pavarësisht përplasjeve politike dhe përpjekjeve të opozitës për të bllokuar punimet parlamentare.
Një nga votimet më të rëndësishme ishte ai për projektligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, i cili u miratua në parim me 84 vota.
“Pas 3-4 vitesh, do të kemi një guvernator banke, guvernator të një banke, të një vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Dhe siç e gëzon: të gjitha të drejtat, të gjitha imunitetet, nëse do t’i quanim të tilla, siç i gëzon një anëtar i Bankës Kombëtare të Luksemburgut, apo të Rumanisë, apo të Italisë, apo të Francës, duhet t’i gëzojë. Dhe dua t’ju garantoj që i gjithë ligji, ligji sot që kishim për Bankën e Shqipërisë, ka marrë dritën jeshile për të gjitha nenet e sotme nga Komisioni Evropian. ”
Duke komentuar incidentet në Kuvend, ku deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe ndezën flakadanë, Balla paralajmëroi zbatimin e masave disiplinore.
“Ata e kanë firmosur vetë përjashtimin. Kushdo që ndez flakadanë dhe me tymin që shkaktuan rrezikojnë, të themi, frymëmarrjen normale të kolegëve të tjerë, neni 65 i Rregullores së Kuvendit i ka përjashtuar 60 ditë”, deklaroi ai.
Sipas Ballës, sjellja e opozitës nuk mund të pengojë vazhdimin e procesit të integrimit europian.
Kryetari i grupit socialist e cilësoi të rëndësishme edhe miratimin e kalendarit për shqyrtimin e projektbuxhetit të vitit 2027.
“Shqiptarët sot kanë marrë lajmin e mirë se kemi buxhetin e parë mbi 10 miliardë euro në gjithë historinë tonë si shtet”, u shpreh Balla.
Ai e përshkroi projektbuxhetin si një instrument me karakter social, duke përmendur paketën fiskale dhe uljen e propozuar të TVSH-së për produktet ushqimore nga 20% në 6%.
“150 milionë euro i kthehen familjeve shqiptare, pra buxhetit të familjes shqiptare”, deklaroi ai.
Balla përmendi gjithashtu heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës, si dhe rritjen e mbështetjes për pensionistët.
Ai i kërkoi opozitës të marrë pjesë në diskutimet dhe votimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale gjatë 30 ditëve të ardhshme.
I pyetur për transferimin e Erion Veliajt në burgun e Fierit dhe pretendimet e tij për kushtet e qëndrimit, Balla tha se çdo ankesë duhet të verifikohet institucionalisht.
Sipas tij, respektimi i të drejtave të të paraburgosurve dhe të burgosurve është pjesë e standardeve që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Balla foli edhe për konsultimet me Presidentin Bajram Begaj lidhur me zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Ai sqaroi se Partia Socialiste nuk do të propozojë një datë të caktuar, duke respektuar kompetencën e Presidentit për ta vendosur atë brenda periudhës ligjore.
Fjala e plotë e Taulant Ballës:
Balla: Mirë, e fillojmë nga më e vështira.
Pyetje: Zoti Balla, Belinda Balluku është deputete e Kuvendit të Shqipërisë apo është një karton i Partisë Socialiste që vjen në Kuvend vetëm kur ju duhet juve të bëni shumicën prej 84 votash? I referohem faktit që në të gjithë muajt e fundit nuk u paraqit në komisionet parlamentare. Nuk vjen në seancë për diskutime, vjen vetëm për të votuar.
Balla: Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste vijoi sot angazhimet që ka në kuadër të programit Shqipëria 20230 për të garantuar përmbushjen e të gjitha reformave të nevojshme të përafrimit të legjislacionit me Acquis Coummunitaire, pra me legjislacionin komunitar të Bashkimit Europian.
Sot janë miratuar 9 ligje që lidhen me agjendën tonë të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Njëri prej tyre kërkonte edhe shumicë të cilësuar.
Po mesazhi është i qartë: përtej bilbilave, flakadanëve, rrëmujës, zhurmës, dhunës, agjenda europiane e Shqipërisë nuk ndërpritet.
Sot ishte një moment i rëndësishëm, sepse në pikën e parë të rendit të ditës, ose në votimin e parë, sot u miratua dhe kalendari i shqyrtimit të buxhetit.
Shqiptarët sot kanë marrë lajmin e mirë se kemi buxhetin e parë mbi 10 miliardë euro në gjithë historinë tonë si shtet.
Një buxhet me karakter social, siç i ka hije përgjegjësisë sonë si forca më e madhe qeverisëse në vend, dhe paketa fiskale gjithashtu me lajme po aq të mira që lidhen me uljen e TVSH-së së ushqimeve.
150 milionë euro i kthehen familjeve shqiptare, pra buxhetit të familjes shqiptare.
Ulja nga 20 për qind e TVSH-së së ushqimeve në 6 për qind është diçka që dikush do të thoshte: Pse nuk e keni bërë më parë?
Nuk kanë qenë mundësitë financiare të Shqipërisë ta bënte. Sot po e bëjmë.
Heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet, nafta dhe benzina, është po ashtu një lajm i mirë.
Besoj se biem të gjithë dakord që edhe opozita duhet të marrë pjesë në votim, në buxhet dhe në paketë fiskale, për të votuar këto çështje, po sikurse janë edhe plot të tjera. Duhet të votojë rritjen, dyfishimin e rritjes së pensionit, siç e kemi premtuar vitin e kaluar. Pra, nëse vitin e kaluar u rrit, rritja e vitit të kaluar është me 2 herë më shumë. Dhe plot çështje të tjera që do kemi kohë t’i diskutojmë në këto 30 ditë të shqyrtimit buxhetor.
Duke shkuar tek përgjigjja juaj, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste përbëhet nga 82 anëtarë, dhe të 82 anëtarët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste janë gjithmonë aty për të votuar dhe për të mbështetur të gjitha këto reforma, sepse kontrata e secilit prej tyre është kontratë me Partinë Socialiste, por mbi të gjitha është kontratë me Shqipërinë, me programin tonë “Shqipëria 2030”.
Pyetje:
Zoti Balla, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, në mëngjesin e sotëm, nuk ka—
Balla: Me radhë.
Një majtas, një djathtas, sepse e kemi edhe kryetarin e sindikatës së gazetarëve.
Pyetje:
Zoti Balla, për ta vijuar pyetjen e kolegës, realisht tani, se politikisht unë e kuptoj, por realisht flasim edhe për qytetarët, çfarë vlere ka për Partinë Socialiste “Agjenda 2030” me një deputete e cila ka muaj që nuk paraqitet në asnjë punim të seancës parlamentare.
Balla:
Genjen!
Ishte para 2 javësh.
Në mes të ditës, në orën e përcaktuar, gjithmonë aty, dhe më lejoni—
Më lejoni, më lejoni të them që sa i përket prezencës në zonën zgjedhore, është ndër deputetet më të mira të Partisë Socialiste.
Nesër, ora 17:00, prania besnike në Fier. Mund të shkosh aty dhe ta shikosh. Urdhëro tjetër.
Pyetje:
Zoti Balla, mëngjesin e sotëm është mbajtur mbledhja e Grupit Parlamentar Socialist, ku ka patur debate mes deputetëve për transferimin e Erion Veliajt nga Durrësi në paraburgimin e Fierit. A ju ka vendosur në dispozicion dokumentacionin përkatës ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, sa i takon këtij transferimi?
Balla:
Në çdo mbledhje të grupit parlamentar, çdo deputet kërkohet prej meje që të çohet dhe të ngrejë probleme, shqetësime që lidhen me tematika të caktuara. Janë tematika që diskutohen në mbledhje të mbyllur të grupit parlamentar dhe nuk janë për t’u ndarë me publikun.
Pyetje:
Ju personalisht keni një koment për transferimin e Erion Veliajt dhe për të gjitha akuzat që ai ka hedhur, sepse kemi të bëjmë, zoti Balla, me një kryetar bashkie të zgjedhur nga qytetarët.
Balla:
Po, tani pyetjen tënde po vazhdoj unë, se e kuptova ku e ke. Unë kam marrë—
Ambroza unë i përgjigjem Isa Myzyrajt, nuk kam nevojë për përkthyes. E kuptova.
Ju e dini se sa ju vlerësoj të dyve si gazetarë. E para është që, lidhur me këtë çështje, jo për shokun tim Erion Veliaj dhe për këdo tjetër, unë e kam thënë edhe për persona të tjerë: kushdo që më ka dërguar, si deputet, në kuadër të ligjit për statusin e deputetit, një ankesë lidhur me një çështje të trajtimit dhe nuk e fsheh. Për shembull, edhe nga ish-presidenti Ilir Meta, në rrugë të komunikimit, kam marrë ankesa që lidhen me trajtimin dhe pa dyshim që ia kam kaluar ministrave të Drejtësisë, sepse në rastin në fjalë nuk lidhet me ministrin Gogu, dhe kam besim që edhe çështja në fjalë do të verifikohet si çdo çështje tjetër që verifikohet jo vetëm nga avokati i popullit si institucion i parë i referimit, nga ministri i Drejtësisë, drejtori i përgjithshëm. Madje sot në grupin parlamentar i kam kërkuar edhe komisionit që ne kemi për mbikëqyrjen, në një program pune që ka ky komision, besoj jeni informuar që dje kanë qenë në një prej institucioneve të paraburgimit, siç është rasti i 313-ës, dhe duhet që çështjet që lidhen me respektimin e të drejtave, që lidhen me trajtimin e të paraburgosurve dhe të burgosurve, të trajtohen në kuadër edhe të procesit që Shqipëria është, pra të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke garantuar respektimin e të gjitha kushteve dhe të drejtave.
Pyetje:
Ditën e premte, nesër, presidenti i Republikës ju ka thirrur në një takim sa i takon zgjedhjeve vendore. Propozimi i Partisë Socialiste do të jetë data 9 maj, Dita e Europës, për t’u zhvilluar këto zgjedhje?
Balla:
Presidenti i Republikës, dhe këtu po e ndërlidh sot edhe me votimin që kishim, pra në Kuvendin e Shqipërisë, sapo u votuan dy vendime, kërkesa të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që lidhen me angazhimin e punonjësve, personelit, me kohë të pjesshme, pra vetëm për periudhën zgjedhore. Unë nuk e gjej dot, nuk gjej dot arsyen që pse Partia Demokratike nuk i votoi këto pr/vendime. Nuk kuptova dot as arsyen, por ata edhe nuk kanë eksperiencë dhe nuk kuptojnë këto partitë e vockla, që partia e Gonës, partia e Llapës, partia e këtij tjetrit, si quhet, Lëvizja Bashkë, si quhet, pse nuk i votuan projektvendimet që kanë ardhur si kërkesa të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pikërisht për të organizuar zgjedhjet. Është domosdoshmëri. Jemi pothuajse kemi hyrë në kohën limite të përgatitjes së zgjedhjeve. Thirrja ime, jo vetëm për Partinë Demokratike, apo për partiçka të tjera, apo edhe për të tjerë që duan, kanë njoftuar që duan të bëjnë parti të reja, të marrin pjesë në zgjedhje. Sa i përket, Eksiola, datës së zgjedhjeve, nesër në presidencë, ne nuk do të shkojmë me një datë zgjedhjeje, duke respektuar kompetencën e plotë të presidentit të Republikës, zotit Bajram Begaj, që në një nga të dielat mes 15 prillit dhe 15 majit të zhvillohen zgjedhjet, por me një përjashtim: data 2 maj të mos jenë zgjedhjet në datën 2 maj, sepse përkon që në të dielën e asaj date është një festë fetare, e cila, sipas atij kalendari që më ka dhënë stafi im, është e pamundur që të mbahen zgjedhjet në respekt të riteve fetare që zhvillohen atë ditë.
Balla:
Edhe një pyetje: pse i duhej dhënë imunitet guvernatorit të Bankës së Shqipërisë? Keni dijeni që është duke hetuar për ndonjë dosje?
Balla:
Dezinformimi në nivelin më të lartë.
Po pra, po. I gjithë shqetësimi dhe të ngritura për këtë çështje është: ne, pas 3-4 vitesh, do të kemi një guvernator banke, guvernator të një banke, të një vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Dhe siç e gëzon: të gjitha të drejtat, të gjitha imunitetet, nëse do t’i quanim të tilla, siç i gëzon një anëtar i Bankës Kombëtare të Luksemburgut, apo të Rumanisë, apo të Italisë, apo të Francës, duhet t’i gëzojë. Dhe dua t’ju garantoj që i gjithë ligji, ligji sot që kishim për Bankën e Shqipërisë, ka marrë dritën jeshile për të gjitha nenet e sotme nga Komisioni Evropian. Madje edhe neni 72, që i referohesh ti, Ambrozia, me të drejtë, si gazetare me eksperiencë, është pjesë e, le të themi, e të gjithë këtij procesi që ka të bëjë. Dhe e vërteta është që nesër, data 30, ishte afati i fundit që duhet ta miratonim në kuadër të—i mbani mend ato që dilja para jush, që quheshin IBAR. Pra, edhe kjo lidhej me këto kushtëzime, ose me këtë kalendar, çështjet që kishim për të shqyrtuar.
Pyetje:
Lidhur me çfarë ndodhi në seancë, zoti Balla, do kërkoni ndëshkime të deputetëve të Partisë Demokratike?
Balla:
Ata e kanë firmosur vetë përjashtimin. Kushdo që ndez flakadanë dhe me tymin që shkaktuan rrezikojnë, të themi, frymëmarrjen normale të kolegëve të tjerë, neni 65 i Rregullores së Kuvendit i ka përjashtuar 60 ditë. Kështu që mos prisni lajme të tjera, e kanë firmosur vetë, edhe madje janë dhe aq të mirë sa të marrin telefon dhe të thonë: “E firmosa 60 ditëshin”. Shumë faleminderit.


