Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Konferencën e Kryetarëve projektbuxhetin për vitin 2027 dhe paketën fiskale, ndërsa opozita vijoi bojkotin.
Gjatë prezantimit, Malaj u ndal te masat për pensionistët, duke njoftuar se indeksimi i pensioneve do të afrohet në prill, periudhë që përkon me fushatën për zgjedhjet vendore. Në fillim të vitit parashikohet edhe dhënia e bonusit për pensionistët.
Projektbuxheti përfshin gjithashtu ndryshime te bonusi i bebeve dhe mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Në arsim, ministri theksoi rritjen e bursave dhe zgjatjen e orarit të programeve pas mësimit. Prezantimi i këtyre masave vjen ndërsa protestat e studentëve vijojnë prej mesit të tetorit.
Për punonjësit e Policisë, të cilëve gjatë protestave iu premtua një shpërblim prej 2.500 eurosh, buxheti i ri parashikon edhe rritje pagash.
Malaj evidentoi rritjen e të ardhurave buxhetore dhe investimet e planifikuara në shëndetësi, duke përmendur ndërhyrje në 20 spitale dhe rimbursimin e barnave.
Sa i përket paketës fiskale, ministri deklaroi se parimi do të jetë që ata që fitojnë më shumë të paguajnë më shumë.


