Me tensione është shoqëruar séance plenare e kësaj të enjteje, ku kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj deputetëve të mazhorancës, në lidhje me protestat e 13 tetorit dhe ndërhyrjen e policisë ndaj të rinjve.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha akuzoi policinë për dhunë ndaj protestuesve, duke deklaruar se të rinjtë janë goditur dhe plagosur gjatë protestave në Tiranë.
Ai iu drejtua deputetëve të mazhorancës me tone të ashpra, duke i cilësuar ata si kriminelë.
Berisha: Java dhe ditët që kaluan Tirana pa barbaritë më të mëdha ndaj të rinjve shqiptarë, barbaritë më të papara. Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh, u çanë kafka, u përdorën mjetet më të egra. Këta parlamentarët janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka, se ata që çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës, plumbat e gomës, kafkat e çara, kockat e thyera, jo të rinjtë.
Deklaratat e tij shkaktuan reagimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili i ndërpreu fjalën, duke argumentuar se kreu i PD-së kishte bërë thirrje për dhunë.
“Kjo nuk është procedurë. Sipas Rregullores, ju hiqet e drejta e fjalës. Keni bërë thirrje për dhunë. Nuk keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, iu drejtua Peleshi.
Më pas Peleshi ndërpreu seancën për 10 minuta.


