Këshilli i Ministrave ka miratuar kriteret dhe masën e kompensimit financiar për subjektet private gjatë periudhës kur punonjësit e tyre aktivizohen në shërbimin ushtarak rezervist në Forcat e Armatosura.
Vendimi, në zbatim të ligjit nr. 125/2024 “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit ushtarak rezervist”, përfshin bizneset, organizatat jofitimprurëse dhe personat e vetëpunësuar që aktivizohen si rezervistë.
Për të përfituar, subjektet duhet të jenë të regjistruara rregullisht dhe të kenë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për punëmarrësin. Punëdhënësit duhet të kenë dhënë paraprakisht edhe dakordësinë me shkrim për aktivizimin ushtarak të punonjësit.
Kompensimi përballohet tërësisht nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Për bizneset dhe OJF-të mbulohen kontributet shoqërore e shëndetësore, si pjesa e punëdhënësit ashtu edhe ajo e punëmarrësit, tatimi mbi të ardhurat dhe diferenca e pagës, nëse paga bruto ushtarake është më e ulët se ajo në sektorin privat.
Për të vetëpunësuarit kompensohen kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe tatimi mbi të ardhurat.
Llogaritjet do të bazohen në pagën bruto të deklaruar në sistemin e-filing të Tatimeve, përmes deklarimit ESIG 25, për periudhën përkatëse.
Dokumentacioni do të administrohet nga Struktura e Vlerësimit të Dokumentacionit pranë njësisë ushtarake përkatëse. Dosja do të përfshijë urdhrin e titullimit nga Shtabi i Përgjithshëm, vërtetimet nga e-Albania, dokumentin e identifikimit dhe dokumentet tatimore.
Pas verifikimit të ditëve reale të aktivizimit, Ministria e Mbrojtjes do t’i transferojë fondet në llogaritë e subjekteve përfituese.


