Xhaka rikthehet te Zvicra në nëntor, rimerr edhe shiritin e kapitenit

28 Oct 2026 • 17:32
Shpërndaje:

Granit Xhaka do të rikthehet në kombëtaren e Zvicrës për ndeshjet e nëntorit në Ligën e Kombeve, pas pezullimit të lidhur me çështjen e një certifikate të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19.

Federata Zvicerane e Futbollit konfirmoi se mesfushori i Sunderlandit do të jetë në dispozicion të trajnerit Murat Yakin për përballjet me Slloveninë dhe Skocinë, më 13 dhe 16 nëntor. Ai do të rimarrë edhe shiritin e kapitenit.

Xhaka mungoi në ndeshjet e tetorit kundër Skocisë, Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë, pasi pranoi se kishte siguruar një certifikatë të falsifikuar, e cila i kishte mundësuar udhëtimet dhe pjesëmarrjen në aktivitete sportive në vitin 2022.

Reklamë Ola

“E kemi shqyrtuar këtë çështje nga këndvështrime të ndryshme. Jemi të bindur se një rikthim në kombëtare në muajin nëntor është një veprim i përgjegjshëm dhe i duhur”, thuhet në vendimin e federatës.

Mesfushori është gjobitur me 150 mijë franga zvicerane. Ndaj tij është vendosur gjithashtu një pezullim dyvjeçar me kusht, i cili nuk do të zbatohet nëse nuk kryen shkelje të tjera.

Reklamë InterMedika

Zvicra kryeson Grupin E të Ligës së Kombeve dhe do t’i zhvillojë dy përballjet e ardhshme me kapitenin sërish në përbërje.