Zelensky mbron telefonatën me Putinin: Evropa ka nevojë për një kanal të drejtpërdrejtë

28 Oct 2026 • 16:42
Shpërndaje:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbështetur nismën e udhëheqësve të Finlandës dhe Norvegjisë për të biseduar drejtpërdrejt me Vladimir Putin, pavarësisht kritikave nga disa aleatë evropianë.

Gjatë telefonatës 90-minutëshe të së martës, presidenti finlandez Alexander Stubb dhe kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre i kërkuan presidentit rus t’i japë fund luftës në Ukrainë.

Duke folur me gazetarët, Zelensky vlerësoi ndihmën e dy vendeve dhe transparencën e nismës.

Reklamë Ola

“Ne kemi vërtet marrëdhënie shumë të mira me këto vende. Ato ndihmojnë realisht”, deklaroi ai.

Presidenti ukrainas argumentoi se izolimi diplomatik i Putinit ishte thyer vitin e kaluar, kur presidenti amerikan Donald Trump e takoi në Alaskë. Sipas tij, që prej atij takimi, edhe vende evropiane kanë mbajtur kontakte me Rusinë, por jo aq hapur sa Finlanda dhe Norvegjia.

Reklamë InterMedika

Ai përmendi komunikimet në nivel këshilltarësh të sigurisë kombëtare dhe mes shërbimeve të inteligjencës, si dhe takime që janë bërë publike vetëm pasi kanë përfunduar.

“Këtu gjithçka është plotësisht e hapur: diskutime paraprake, informim i plotë dhe objektiva transparente”, tha Zelensky.

Sipas tij, nisma mund t’i japë Evropës një burim të drejtpërdrejtë informacioni dhe mundësinë që mesazhet e saj t’i përcillen Moskës pa ndërmjetësimin amerikan.

“Finlanda dhe Norvegjia po tregojnë se duan të hapin një kanal tjetër komunikimi, në mënyrë që Evropa të marrë informacion jo vetëm përmes Shteteve të Bashkuara dhe Rusia të dëgjojë drejtpërdrejt disa gjëra”, shtoi ai.

Megjithatë, telefonata ka nxjerrë në pah ndarjet mes aleatëve për mënyrën se si duhet të zhvillohen kontaktet me Kremlinin.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen u shpreh “shumë skeptike” ndaj nismës, ndërsa homologu suedez Ulf Kristersson tha se paqja duhet të vijë përmes “forcës” dhe jo lëshimeve ndaj Rusisë.

Një zyrtar evropian, i cituar në kushte anonimiteti nga POLITICO, paralajmëroi se bisedimet e veçanta kombëtare me Moskën mund të dobësojnë zërin e përbashkët evropian. Ai vlerësoi si funksional formatin E3, që përfshin Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe.

Rezerva ka shprehur edhe qeveria italiane. Zyrtarë në Romë thanë se telefonata tregoi mungesën e një marrëveshjeje evropiane për përfaqësimin në negociata.

Një zyrtar italian kërkoi emërimin urgjent të përfaqësuesve me mandat të përbashkët evropian, duke paralajmëruar se nismat kombëtare dhe ndryshimi i vazhdueshëm i formateve rrezikojnë të ulin më tej ndikimin e Evropës.

“Negociatat nuk do të presin”, deklaroi ai.

Komisioni Evropian reagoi me përmbajtje, duke theksuar se telefonata nuk ishte zhvilluar në emër të BE-së.

“Mbajmë shënim telefonatën, e cila u zhvillua vetëm mbi bazë dypalëshe”, tha zëdhënësja Paula Pinho.

Ajo shtoi se negociatat po zhvillohen në formate, vende dhe nivele të ndryshme, nga udhëheqësit te ministrat, diplomatët dhe zyrtarët e lartë, duke theksuar se Bashkimi Evropian është i përfshirë.