Porti i Durrësit ka pritur një delegacion të Komisionit për Transportin dhe Turizmin të Parlamentit Evropian, në kuadër të misionit zyrtar në Ballkanin Perëndimor më 26–28 tetor.
Në qendër të takimit ishin modernizimi i infrastrukturës portuale, zhvillimi i portit të ri tregtar në Porto Romano dhe përfshirja e Shqipërisë në rrjetet strategjike evropiane të transportit.
Delegacioni kryesohej nga eurodeputetja austriake Sophia Kircher, zëvendëskryetare e Komisionit TRAN. Në vizitë mori pjesë edhe Marian-Jean Marinescu, koordinator evropian për Korridorin Ballkani Perëndimor–Mesdheu Lindor, i njohur si WBEM.
Ky korridor është pjesë e Rrjetit Transevropian të Transportit, TEN-T, dhe synon lidhjen më të mirë të infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe detare, për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe pasagjerëve mes rajonit dhe BE-së.
Sipas Autoritetit Portual Durrës, gjatë diskutimeve u evidentua roli i portit si nyje detare e këtij korridori dhe rëndësia e investimeve të planifikuara për modernizimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e kapaciteteve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua Portit të Ri Tregtar të Integruar në Porto Romano. Projekti synon rritjen e kapaciteteve për përpunimin e mallrave dhe përmirësimin e lidhjeve hekurudhore e rrugore me tregjet rajonale dhe evropiane.
Palët diskutuan gjithashtu perspektivat e transportit detar, bashkëpunimin rajonal dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Autoriteti Portual e vlerësoi vizitën si një mundësi për forcimin e dialogut me institucionet evropiane dhe avancimin e lidhjeve të transportit në funksion të zhvillimit ekonomik dhe integrimit të Shqipërisë.


