Izraeli po shkon drejt një ngërçi të mundshëm politik pas zgjedhjeve parlamentare, ndërsa rezultatet e pjesshme nuk i japin shumicën as bllokut të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe as kampit rival të udhëhequr nga Gadi Eisenkot.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me 57,3% të qendrave të votimit të numëruara deri në orën 07:58, partitë që mbështesin Netanyahun projektohen të marrin 55 mandate, ndërsa kundërshtarët e tij 49.
Partitë arabe rezultojnë me 16 vende, duke u kthyer në faktor të mundshëm vendimtar për formimin e qeverisë. Në Knesset-in me 120 deputetë, një shumicë qeverisëse kërkon të paktën 61 mandate.
Shifrat mbeten paraprake dhe mund të ndryshojnë. Votat në zarfe të dyfishta, përfshirë ato të ushtarëve, do të numërohen më vonë.
Pavarësisht mungesës së një rezultati përfundimtar, të dy rivalët kanë shprehur synimin për të formuar qeverinë e ardhshme.
Netanyahu doli përpara mbështetësve rreth orës 03:00 të mëngjesit, disa orë pas mbylljes së votimit. Ai shmangu shpalljen e fitores, por kërkoi krijimin e një “qeverie të fortë të së djathtës” dhe u bëri thirrje forcave të “shumicës hebraike dhe sioniste” të bashkohen.
Kryeministri theksoi se Likud mbetet partia më e madhe në parlament. Sipas vlerësimeve të raportuara, ajo pritet të marrë 27 mandate, kundrejt 32 në legjislaturën e mëparshme.
Eisenkot, nga ana tjetër, i interpretoi vlerësimet fillestare si një refuzim të qeverisjes së Netanyahut.
“Populli ka zgjedhur ndryshimin”, deklaroi ai, duke premtuar se do të bëjë gjithçka për të formuar qeverinë dhe për të shmangur zgjedhje të tjera.
Sondazhet pas votimit dhanë fillimisht një epërsi të lehtë për opozitën, ndërsa vlerësime të mëvonshme i nxorën dy blloqet me nga 51 vende. Këto projeksione ndryshojnë nga rezultatet e pjesshme të numërimit dhe nuk përbëjnë ndarjen përfundimtare të mandateve.
Një nga zhvillimet kryesore është forcimi i partive arabe, Ra’am dhe Listës së Bashkuar Arabe. Projeksionet e natës së zgjedhjeve u jepnin atyre së bashku 18–19 mandate, ndërsa numërimi i pjesshëm i mëngjesit i nxjerr me 16.
Kreu i Ra’am-it, Mansour Abbas, e cilësoi rezultatin një “disfatë të madhe” për kampin e Netanyahut dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Eisenkotin.
Megjithatë, Eisenkot ka përjashtuar deri tani një bashkëpunim të tillë. Edhe Netanyahu deklaroi se një qeveri e mbështetur nga partitë arabe është “jashtë diskutimit”.
Sipas politologes Ilana Speitzman nga Universiteti Bar-Ilan, këto qëndrime e vështirësojnë rrugën drejt një shumice.
“Netanyahu nuk ka asnjë mënyrë për të formuar një qeveri, ndërsa koalicioni i zotit Eisenkot do të duhet ose të formojë një qeveri me partitë arabe ose të formojë një qeveri minoritare, dy opsione që opozita deri më tani i ka refuzuar”, vlerësoi ajo.
Ndërkohë, nën pragun zgjedhor prej 3,25% mbeten Rezervistët me 2,6%, Populli i Izraelit me 1,7% dhe Partia Ultraortodokse e Përbashkët me 0,2%, sipas të dhënave të deritanishme.
Pjesëmarrja arriti në 77,7%, niveli më i lartë që nga viti 1999. Ky ishte votimi i parë parlamentar pas sulmeve të 7 tetorit 2023.
Pas përfundimit të numërimit, partitë pritet të hyjnë në negociata për koalicionin. Nëse përpjekjet për formimin e qeverisë dështojnë, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja parlamentare.


