Banka Evropiane e Investimeve pritet të nënshkruajë këtë javë një marrëveshje kuadër me Kanadanë, e cila do t’i hapë rrugë investimeve në lëndët e para kritike dhe fusha të tjera.
Sipas një zyrtari të bankës, të cituar nga POLITICO, marrëveshja pritet të firmoset të enjten në Montreal, në kuadër të samitit BE–Kanada.
Nisma përbën një hap konkret drejt forcimit të marrëdhënieve mes palëve, ndërsa diskutimet përfshijnë edhe sigurinë në Arktik dhe mundësinë që Kanadaja të marrë statusin e “anëtares së asociuar” të BE-së.
Nënshkrimi i pritshëm pason vizitën e presidentes së BEI-së, Nadia Calviño, në Otavë gjatë shtatorit. Gjatë saj, ajo ndërmori hapat e parë për krijimin e një pranie të përhershme të bankës në Kanada.
Marrëveshja ka rëndësi edhe për shtrirjen e veprimtarisë së BEI-së, e cila zakonisht operon në vendet anëtare të BE-së, të Zonës Ekonomike Evropiane ose në vendet në zhvillim.
Kanadaja u ka ofruar më herët këtë vit anëtarëve të G7-s “akses me përparësi” në rezervat e saj të mineraleve kritike, sipas një letre të parë nga POLITICO.
Kryeministri kanadez Mark Carney ka shprehur gjithashtu synimin për të zgjeruar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian në këtë sektor.


