Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka falënderuar efektivët e Policisë së Shtetit, shërbimin zjarrfikës dhe personelin shëndetësor për angazhimin gjatë protestës së sotme në Tiranë, e cila u shoqërua me akte dhune dhe përplasje me policinë.
Përmes një deklaratë publikuar në rrjetet sociale, Balla vlerësoi punën e forcave të rendit për garantimin e sigurisë së qytetarëve, mbrojtjen e institucioneve publike dhe të pronës private, duke theksuar se Policia e Shtetit bëri gjithçka për të garantuar të drejtën e protestës paqësore.
Ai akuzoi organizatorët e protestës, të thirrur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, se kishin angazhuar qëllimisht persona me synimin për të shkaktuar dhunë dhe trazira. Sipas Ballës, pjesëmarrja e ulët gjatë mesditës dhe sulmet e mëvonshme ndaj policisë dhe institucioneve tregojnë se protesta u shoqërua me një skenar dhune.
“Sulmet me bomba molotovë, mjete piroteknike shpërthyese dhe gurë kundër policisë, institucioneve etj.”, u shpreh Balla, duke ngritur gjithashtu akuza për përdorimin e selisë qendrore të Partisë Demokratike si depo benzine për përgatitjen e bombave molotovë dhe për sigurimin e mjeteve të rënda piroteknike, të cilat, sipas tij, janë të palejuara dhe janë futur kontrabandë në Shqipëri.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së theksoi se, sipas tij, përgjegjësia për mbarëvajtjen e tubimit i takon organizatorëve, duke përmendur Sali Berishën, deputetët dhe drejtuesit lokalë të Partisë Demokratike. Balla deklaroi se përgjegjësit duhet të përballen me ligjin dhe iu referua gjithashtu Prokurorisë së Posaçme, SPAK.
Në përfundim, Balla shprehu mirënjohje edhe për mjekët, infermierët e Urgjencës Kombëtare dhe personelin e Qendrës së Traumës, për kujdesin ndaj efektivëve të policisë të goditur në detyrë, pjesëtarëve të medias dhe protestuesve të lënduar gjatë përplasjeve.


