Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se qeveria po përgatit masa për të lehtësuar pasojat e shtrenjtimit të jetesës, ndërsa ka përsëritur ftesën për dialog me protestuesit.
Në një dalje publike krah ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, Rama tha se mbështetja sociale, mundësitë për strehim dhe rishpërndarja do të jenë pjesë e ndërhyrjeve që do të prezantohen së shpejti.
Ai njoftoi gjithashtu propozime për sigurinë dhe garantimin e të drejtave e lirive, pa dhënë hollësi mbi përmbajtjen e tyre.
“E drejta për të protestuar është legjitime, por dhuna jo”, deklaroi kryeministri, duke shtuar se po përgatiten masa ndaj personave të përfshirë në dhunë.
Rama kundërshtoi akuzat për indiferencë ndaj protestuesve që, sipas tij, janë mbledhur prej katër muajsh poshtë zyrës së tij. Ai pretendoi se gjatë kësaj periudhe nuk kanë paraqitur kërkesa apo propozime konkrete.
“Unë kam qenë duke punuar dhe ata kanë qenë duke sharë dhe ofenduar poshtë zyrës. Nuk kanë bërë asnjë kërkesë dhe asnjë propozim”, u shpreh ai.
Kryeministri tregoi edhe për një bisedë me një pedagog, shqetësimet e të cilit, sipas Ramës, lidheshin me problematika konkrete dhe legjitime në QSUT. Ai tha se i kishte propozuar diskutimin e tyre në një takim.
“Kur autoritetet të thonë të ulemi dhe të flasim, atëherë këmbëngulja në protestë bëhet e kotë”, deklaroi Rama.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë përsëriti pretendimet se në protesta janë përfshirë një grup i lidhur me Antifan dhe persona me aktivitet kriminal. Ai akuzoi gjithashtu forca të huaja se qëndrojnë pas protestës.
Në deklaratën e cituar, Rama nuk paraqiti prova konkrete për këto akuza.


