I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, e ka cilësuar presidentin rus Vladimir Putin si “humanitar” gjatë bisedimeve të zhvilluara të mërkurën në Shën Petersburg, në kuadër të përpjekjeve për negociata mes Moskës dhe Kievit.
Deklarata shfaqet në një video të medias shtetërore ruse, të shpërndarë në rrjetet sociale.
“Ju flisni kaq shumë për presidentin tim, presidentin Trump, si një humanitar. Edhe ju jeni humanitar, zotëri, dhe unë e përshëndes këtë, ju përgëzoj dhe ju falënderoj sërish”, iu drejtua Witkoff Putinit.
Vizita pason takimin e të dërguarit amerikan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të martën në Oslo. Witkoff pritet t’i propozojë palës ruse një takim trepalësh mes Putinit, Zelenskyt dhe presidentit amerikan Donald Trump.
Përpjekja diplomatike zhvillohet ndërsa sulmet ruse ndaj Ukrainës vijojnë. Sipas autoriteteve lokale, tre persona humbën jetën gjatë sulmeve të natës në Kiev dhe Harkiv.
Të dhënat e Kombeve të Bashkuara tregojnë se 328 civilë u vranë në Ukrainë vetëm gjatë shtatorit. Ndërkohë, forcat ruse vijojnë goditjet ndaj infrastrukturës energjetike në prag të dimrit.
Në vitin 2023, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhërarrest për Putinin lidhur me transferimin e detyruar të fëmijëve ukrainas drejt Rusisë pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë.


