NATO shton avionët dhe dronët në Detin e Zi pas sulmeve ndaj anijeve

21 Oct 2026 • 16:36
Shpërndaje:

Vendet anëtare të NATO-s do të shtojnë avionët e patrullimit detar, radarët, dronët dhe specialistët e inteligjencës në rajonin e Detit të Zi, pas shtimit të sulmeve ndaj rrugëve që Ukraina përdor për eksportet e saj.

Masat u njoftuan nga zëdhënësi i shtabit ushtarak të NATO-s në Mons të Belgjikës, Martin L. O’Donnell. Sipas tij, në rajon do të dërgohen edhe ekipe për hetimin e shpërthimeve.

Angazhimi synon përmirësimin e monitorimit përmes pajisjeve shtesë të vëzhgimit dhe shkëmbimit më të gjerë të informacionit mes aleatëve.

Reklamë Ola

Sipas raportimeve nga Sofja, një avion amerikan i Marinës, i tipit “P-8 Poseidon”, ka nisur operacionet përgjatë bregdetit bullgar. Ndërkohë, Rumania ka kërkuar mbështetje nga NATO dhe Bashkimi Europian pas incidenteve të javës së kaluar.

Sulmet kanë prekur edhe anije tregtare pranë brigjeve të Bullgarisë dhe Rumanisë, të dyja vende anëtare të Aleancës.

Reklamë InterMedika

Javën e kaluar, anija ukrainase “Chelsea 3” u godit nga tre dronë, rreth 33 kilometra në lindje të qytetit bullgar Byala. Në një tjetër incident, një anije u godit dhe u fundos rreth 31 kilometra larg bregdetit pranë Krapetsit, afër kufirit me Rumaninë.

Në fillim të muajit, një anije tregtare turke që transportonte grurë u fundos pranë qytetit rumun Sfântu Gheorghe. Dy anëtarë të ekuipazhit humbën jetën. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ia atribuoi sulmin dronëve rusë.

Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, paralajmëroi se goditjet ndaj transportit detar mund të nxisin një krizë të re globale ushqimore.

Ajo theksoi rëndësinë e Ukrainës si eksportuese e produkteve bujqësore dhe tha se sulmet po vështirësojnë furnizimin me ushqime në tregjet ndërkombëtare.

Sipas Kallas, gjashtë sulme të dyshuara me dronë rusë brenda dhjetë ditësh përbëjnë një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të papranueshëm.