Dronë të paautorizuar mbi bazat ushtarake franceze, nis hetimi

21 Oct 2026 • 16:35
Shpërndaje:

Dronë të paautorizuar janë zbuluar pranë dhe mbi objekte ushtarake në juglindje të Francës gjatë një stërvitjeje të forcave të armatosura, njoftoi të mërkurën Marina franceze. Për incidentet është hapur një hetim gjyqësor.

Fluturimet u regjistruan gjatë manovrave të zhvilluara nga 5 deri më 16 tetor, në zona ku fluturimi ishte i ndaluar.

“Në çdo rast, masat e parashikuara të sigurisë u aktivizuan përmes përdorimit të pajisjeve kundër dronëve, në koordinim me forcat e sigurisë së brendshme”, thuhet në deklaratën e Marinës.

Reklamë Ola

Autoritetet theksuan se asnjë infrastrukturë e ndjeshme nuk u kërcënua.

Njoftimi konfirmon raportimet e mediave lokale për shfaqjen e dronëve në zonën e Toulonit, ku ndodhet një prej bazave më të mëdha detare të Francës. Ajo strehon aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle” dhe nëndetëse sulmuese.

Reklamë InterMedika

Sipas transmetuesit lokal Ici Provence, dronët fluturuan gjatë natës mbi bazën detare, një objekt të Drejtorisë së Përgjithshme të Armatimeve në Toulon dhe Regjimentin e 54-t të Artilerisë në Hyères.

Stërvitja, e quajtur “Typhon”, kishte pikërisht si objektiv përgatitjen për reagimin ndaj pranisë së dronëve.

Incidentet vijnë mes raportimeve të ngjashme në disa vende europiane, përfshirë Danimarkën dhe Gjermaninë, pranë objekteve ushtarake dhe industrisë së mbrojtjes. Në njoftimin francez nuk identifikohen autorët apo origjina e dronëve.

Ministria e Forcave të Armatosura rikujtoi se fluturimet pa autorizim pranë ose mbi instalimet ushtarake janë rreptësisht të ndaluara.