Von der Leyen: BE-ja nuk do të lehtësojë sanksionet ndaj energjisë ruse

21 Oct 2026 • 16:32
Shpërndaje:

Bashkimi Europian nuk do të lehtësojë sanksionet ndaj lëndëve djegëse fosile ruse, pavarësisht marrëveshjes së Shteteve të Bashkuara me Moskën për importet e naftës diesel. Qëndrimin e konfirmoi të mërkurën presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë një fjalimi në Parlamentin Europian.

Ajo theksoi se Rusia nuk mund të konsiderohet një furnizuese e besueshme energjie, duke iu referuar përvojës së Europës me ndërprerjen e furnizimeve me gaz.

“Rusia nuk është një furnizuese e besueshme e energjisë, sepse në çdo moment mund ta përdorë varësinë energjetike si armë për të shantazhuar të tjerët”, deklaroi von der Leyen.

Reklamë Ola

Sipas saj, ishte Moska që ndërpreu furnizimin me gaz drejt Europës. “Ky është një mësim që Europa sigurisht nuk do ta harrojë”, shtoi ajo.

Qëndrimi vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi këtë muaj një marrëveshje me Vladimir Putin për lehtësimin e sanksioneve mbi importet e naftës diesel deri në prill 2027, në kushtet e rritjes së çmimeve globale të naftës.

Reklamë InterMedika

Duke mbrojtur marrëveshjen, Trump argumentoi më pas se edhe BE-ja kishte blerë lëndë djegëse fosile me vlerë miliarda nga Rusia, pa dhënë hollësi të mëtejshme.

Instrument i ri ndaj importeve që dëmtojnë tregun europian

Von der Leyen trajtoi gjithashtu çekuilibrin tregtar me Kinën dhe konfirmoi se Komisioni synon të paraqesë që në dhjetor një instrument të ri për mbrojtjen e tregut të përbashkët.

Sipas POLITICO-s, mekanizmi pritet të mbështetet në propozimin e paraqitur nga Gjermania dhe Franca dhe do t’i mundësonte Komisionit të kufizojë ose të ndalojë importe nga vende që konsiderohen se shtrembërojnë konkurrencën.

Procedura do të kërkonte konsultim të kufizuar me shtetet anëtare, duke i lejuar Brukselit të veprojë më shpejt. Instrumenti do të plotësonte nismat për diversifikimin e furnizimeve dhe krijimin e një mekanizmi solidariteti, që janë në përgatitje.

“Po shohim humbje vendesh pune në qendrat tona industriale”, tha von der Leyen, ndërsa theksoi se BE-ja do të vijojë të kërkojë marrëveshje me Pekinin.

Pas marrëveshjes për kufizimin e importeve të automjeteve hibride kineze, produktet kimike dhe makineritë industriale pritet të jenë ndër sektorët prioritarë të përpjekjeve europiane për mbrojtjen e industrisë, sipas POLITICO-s.