Shqipëria do të angazhojë për herë të parë një kontingjent helikopterësh në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR. Në Bazën Ajrore të Farkës u zhvillua ceremonia e përcjelljes së 13 efektivëve të Forcave të Armatosura, të cilët do të shërbejnë në bazën ushtarake amerikane “Bondsteel”.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi angazhimin si një hap në zgjerimin e rolit të Forcës Ajrore dhe të kontributit shqiptar në operacionet e Aleancës.
“Kontingjenti që përcjellim sot është pjesë e kësaj përpjekjeje. Ai dëshmon se Forca Ajrore po zgjeron rolin e saj dhe se Forcat tona të Armatosura po konsolidojnë kapacitetet për të përmbushur detyra gjithnjë e më të rëndësishme në kuadër të NATO-s”, deklaroi Nufi.
Sipas ministrit, pjesëmarrja në KFOR ka rëndësi të veçantë për Shqipërinë, si për lidhjet me Kosovën, ashtu edhe për ndikimin që siguria e saj ka në stabilitetin rajonal.
“Siguria dhe stabiliteti i Kosovës lidhen drejtpërdrejt me paqen dhe sigurinë e Shqipërisë dhe gjithë rajonit tonë”, u shpreh ai.
Nufi rikonfirmoi angazhimin për vijimin e kontributit në KFOR dhe bashkëpunimin me aleatët. Ai theksoi se pjesëmarrja e Shqipërisë në sigurinë ndërkombëtare përfshin edhe operacione të NATO-s, Bashkimit Europian dhe Kombeve të Bashkuara.
Në ceremoni morën pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, drejtues të Forcës Ajrore dhe të Forcave të Armatosura, si dhe familjarë të efektivëve.


