Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është pritur të mërkurën nga Mbreti Charles III në Pallatin Buckingham, në një vizitë që vjen mes tensioneve në rritje mes Kievit dhe administratës së presidentit amerikan Donald Trump.
Takimi mes monarkut britanik dhe presidentit ukrainas zgjati rreth 25 minuta dhe u zhvillua përpara bisedimeve të Zelenskyt me kryeministrin britanik Andy Burnham në Downing Street.
Pas takimit, Zelensky falënderoi Mbretin Charles për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës, duke e cilësuar atë të palëkundur.
Kjo nuk është hera e parë që monarku britanik pret presidentin ukrainas në një moment tensionesh me Uashingtonin. Në mars të vitit 2025, Charles e priti Zelenskyn në rezidencën mbretërore Sandringham, pak ditë pas përplasjes së tij publike me Donald Trump dhe nënpresidentin JD Vance në Shtëpinë e Bardhë.
Vizita e fundit vjen pas vendimit të Trump për të lehtësuar sanksionet ndaj eksporteve ruse të naftës, një lëvizje që ka shkaktuar shqetësime në Kiev dhe në disa kryeqytete evropiane.
Në një intervistë për gazetarin Piers Morgan, Zelensky kritikoi marrëveshjen e presidentit amerikan me Moskën, duke deklaruar se Trump nuk ndodhet “në anën e duhur të historisë” dhe se Ukraina po humbet një partner të fuqishëm.
Presidenti ukrainas ngriti gjithashtu shqetësime për kufizimet e vendosura në përdorimin e sistemit satelitor Starlink, duke paralajmëruar se ndërprerja e shërbimeve mund të ketë pasoja të rënda për operacionet ushtarake dhe jetët njerëzore.
Nga ana tjetër, kryeministri britanik Andy Burnham ka shmangur një përplasje të drejtpërdrejtë me Trumpin, duke theksuar se synon të riparojë marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit.
Megjithatë, Burnham riafirmoi angazhimin e Londrës për të vazhduar mbështetjen ushtarake dhe financiare për Ukrainën.
“Mesazhi im për popullin ukrainas nuk mund të jetë më i qartë: ne jemi me ju për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe do të veprojmë më shpejt për të mbështetur luftën tuaj për paqe në Evropë”, deklaroi kryeministri britanik.
Qeveria britanike njoftoi një paketë të re mbështetjeje prej 45 milionë paundësh, që përfshin forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
Londra do të përshpejtojë gjithashtu dërgimin e më shumë se 5 mijë raketave shumëfunksionale të lehta, pjesë e një programi financimi prej 1.6 miliardë paundësh për katër vitet e ardhshme.
Kryeministri britanik u ka kërkuar ministrave të hartojnë propozime për sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, ndihmë ushtarake dhe mbështetje financiare për Ukrainën gjatë javëve në vijim.
Vizita e Zelenskyt në Londër synon të forcojë bashkëpunimin me një prej aleatëve kryesorë evropianë, në një kohë kur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara po përballen me tensione të reja.


