Alarm për fondet e BE-së, rrezik abuzimi me miliarda euro

14 Oct 2026 • 10:53
Shpërndaje:

Plani i Komisionit Europian për reformimin e buxhetit afatgjatë të Bashkimit Europian mund të rrisë rrezikun e keqpërdorimit të fondeve publike, ka paralajmëruar Gjykata Europiane e Audituesve.

Presidenti i këtij institucioni, Tony Murphy, ka ngritur shqetësimin se ndryshimet e propozuara do ta bëjnë më të vështirë kontrollin e mënyrës se si shpenzohen miliarda euro nga vendet anëtare.

“Për ne bëhet më e vështirë të ndjekim paratë. Në thelb, i thua një shteti anëtar: Ja ku ke një shumë të madhe parash dhe sigurohu vetë që gjithçka është në rregull. Është një lloj vetëkontrolli”, deklaroi Murphy.

Reklamë Ola

Paralajmërimi vjen ndërsa liderët europianë vijojnë negociatat në Bruksel për buxhetin e BE-së pas vitit 2027, mes mosmarrëveshjeve për madhësinë dhe shpërndarjen e fondeve.

Gati një trilion euro nën një mekanizëm të vetëm

Reklamë InterMedika

Komisioni Europian synon ta bëjë buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar më fleksibël, në mënyrë që Bashkimi Europian të reagojë më shpejt ndaj krizave të paparashikuara.

Sipas propozimit, rreth gjysma e buxhetit, ose pothuajse një trilion euro gjatë shtatë viteve, do të përfshihej në një fond të përbashkët, nga i cili shtetet anëtare mund të financonin politika të ndryshme, përfshirë bujqësinë, zhvillimin rajonal dhe emigracionin.

Por Murphy paralajmëron se dhënia e më shumë lirie qeverive kombëtare për shpërndarjen e fondeve mund të dobësojë transparencën dhe kontrollin financiar.

“Do të ketë njëfarë fleksibiliteti, por me çfarë kostoje?”, u shpreh ai, duke theksuar se mbikëqyrja do të varet gjithnjë e më shumë nga mekanizmat e kontrollit të secilit shtet.

Sipas raportit të fundit të Gjykatës Europiane të Audituesve, gjatë vitit të kaluar janë evidentuar gabime në transaksionet e buxhetit të BE-së, me një vlerë të vlerësuar prej rreth 5 miliardë eurosh.

Murphy paralajmëroi se me sistemin e ri mund të bëhet edhe më e vështirë llogaritja e këtyre shumave, pasi autoritetet kombëtare të auditimit funksionojnë sipas praktikave të ndryshme.

Shqetësime për fondet e bujqësisë

Një nga ndryshimet kryesore të propozuara është përfshirja e Politikës së Përbashkët Bujqësore në një mekanizëm më të gjerë financimi, të njohur si Planet e Partneritetit Kombëtar dhe Rajonal.

Aktualisht, fondet bujqësore kanë një strukturë të veçantë buxhetore, gjë që, sipas audituesve, e bën më të lehtë kontrollin e përfituesve dhe destinacionit të parave.

Murphy argumenton se bashkimi i fondeve europiane me buxhetet kombëtare do ta vështirësonte identifikimin e përfituesve përfundimtarë.

Ai përmendi raste të mëparshme të dyshimeve për abuzime, përfshirë subvencionet për kullota fiktive në Greqi dhe fondet e destinuara për turizmin rural në Sllovaki, të cilat dyshohet se janë përdorur për ndërtimin e vilave luksoze.

Komisioni Europian mbron reformën

Nga ana tjetër, Komisioni Europian ka mbrojtur propozimin, duke argumentuar se parimet kryesore të sistemit aktual të kontrollit do të mbeten në fuqi.

Sipas Komisionit, autoritetet kombëtare kanë mekanizma funksionalë mbikëqyrjeje, ndërsa Brukseli do të ruajë të drejtën t’u kërkojë shteteve ndryshimin e planeve ose vendosjen e masave korrigjuese kur është e nevojshme.

Megjithatë, Murphy solli si shembull fondin europian të rimëkëmbjes pas pandemisë, ku fleksibiliteti më i madh në shpërndarjen e parave u shoqërua me më pak transparencë.

Ai theksoi se, ndryshe nga fondet tradicionale bujqësore, për të cilat audituesit mund të kontrollojnë drejtpërdrejt përfituesit, në mekanizmin e rimëkëmbjes publikohen çdo vit vetëm 100 përfituesit kryesorë.

“Nuk është shumë transparente. Ku përfundojnë realisht paratë e BE-së? Kjo është ajo që ka rëndësi”, përfundoi presidenti i Gjykatës Europiane të Audituesve.