Erdogan uron presidenten e Kosovës: Do të forcojmë bashkëpunimin

13 Oct 2026 • 16:21
Shpërndaje:

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka uruar presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, me rastin e marrjes së detyrës, duke konfirmuar angazhimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në letrën e urimit, të publikuar nga Zyra e Presidentes së Kosovës, Erdogan ka përcjellë urimet në emër të popullit turk dhe në emrin e tij personal.

Kreu i shtetit turk ka shprehur bindjen se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Turqisë do të vazhdojë të zgjerohet në fusha të ndryshme, duke kontribuar njëkohësisht në stabilitetin dhe paqen në rajon.

Reklamë Ola

“Kam besim të plotë se bashkëpunimi ynë shumëdimensional do të vazhdojë të zhvillohet edhe në periudhën e ardhshme”, thuhet në mesazhin e Erdogan.

Presidenti turk ka theksuar gjithashtu rëndësinë e partneritetit mes dy vendeve për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Reklamë InterMedika

“Nuk kam dyshim se kontributi i këtij bashkëpunimi në stabilitetin dhe paqen rajonale do të vazhdojë të rritet edhe gjatë mandatit të Shkëlqesisë Suaj”, shprehet Erdogan.

Mesazhi i presidentit turk riafirmon vullnetin e Ankarasë për të vijuar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës edhe gjatë mandatit të ri presidencial.