Bashkimi Europian i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të heqin sanksionet ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJNP), duke paralajmëruar se masa të tilla rrezikojnë pavarësinë dhe funksionimin e institucionit.
Në një deklaratë në emër të BE-së, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, theksoi se Gjykata duhet të jetë në gjendje të përmbushë mandatin e saj pa presione apo ndërhyrje të jashtme.
“Sulmet ose kërcënimet kundër Gjykatës, zyrtarëve të saj, stafit dhe personave që bashkëpunojnë me të, përfshirë përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ofruesit e shërbimeve, janë të papranueshme”, deklaroi Kallas.
Ajo theksoi se Bashkimi Europian është i gatshëm të ndërmarrë masat e nevojshme për të garantuar vazhdimësinë dhe efektivitetin e punës së Gjykatës.
Kallas përshëndeti vendimin e Uashingtonit për të shtyrë hyrjen në fuqi të masave, duke e konsideruar këtë një mundësi për dialog diplomatik dhe gjetjen e një zgjidhjeje.
Sipas saj, objektivi duhet të jetë heqja sa më e shpejtë e sanksioneve dhe shmangia e çdo mase tjetër që mund të cenojë pavarësinë dhe integritetin e institucionit.
Përfaqësuesja e Lartë vlerësoi gjithashtu gatishmërinë e SHBA-së për të diskutuar shqetësimet e saj me shtetet palë të Statutit të Romës, traktatit që themeloi Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Në përfundim, Kallas riafirmoi mbështetjen e Bashkimit Europian për GJNP-në, duke theksuar angazhimin për mbrojtjen e institucionit, personelit dhe të gjithë atyre që bashkëpunojnë me të.


