BE propozon kufizime deri në 15 vjet për anëtarët e rinj që cenojnë shtetin e së drejtës

06 Oct 2026 • 19:39
Shpërndaje:

Komisioni Evropian ka propozuar një mekanizëm të ri që do t’i lejonte Bashkimit Evropian të shkurtonte fondet ose, në rastet më të rënda, të pezullonte të drejtat e votës për shtetet e reja anëtare që shkelin rëndë shtetin e së drejtës dhe vlerat themelore të Unionit.

Propozimi është pjesë e paketës së re për përgatitjen e BE-së për zgjerimin e ardhshëm dhe synon të krijojë masa më të forta kundër regresit demokratik pas anëtarësimit. Komisioni kërkon që traktatet e ardhshme të anëtarësimit të përmbajnë një klauzolë të posaçme institucionale, e cila mund të përdoret në rast të shkeljeve serioze të vlerave të përcaktuara në nenin 2 të Traktatit të BE-së dhe të parimit të bashkëpunimit të sinqertë.

Në rastet më të rënda, masat mund të arrijnë deri te pezullimi i të drejtave të votës në Këshillin e BE-së. Komisioni kërkon gjithashtu që masat mbrojtëse sektoriale, të përdorura edhe në zgjerimet e mëparshme për fusha si ekonomia, tregu i brendshëm, drejtësia dhe çështjet e brendshme, të zbatohen për një periudhë dukshëm më të gjatë pas anëtarësimit.

Reklamë Ola

Sipas propozimit të prezantuar të martën, mekanizmat do të jenë të përkohshëm, proporcionalë, të kthyeshëm dhe do t’i nënshtrohen rishikimit periodik. Komisioni argumenton se këto masa duhet të plotësojnë instrumentet ekzistuese të BE-së, përfshirë procedurat sipas nenit 7 të Traktatit.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, tha se qëllimi është të parandalohet që shtetet e reja anëtare të devijojnë nga angazhimet e marra gjatë negociatave pasi të bëhen pjesë e Unionit.

Reklamë InterMedika

“Ne po propozojmë mundësi më të forta për të parandaluar regresin, përfshirë reduktimin e financimeve ose kufizimin e të drejtave të votës”, deklaroi Kos.

Paketa parashikon gjithashtu që, për një periudhë të kufizuar pas anëtarësimit, një shtet i ri mund të angazhohet të mos përdorë të drejtën e vetos për të bllokuar zgjerime të ardhshme për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.

Në të njëjtën kohë, Komisioni propozon një integrim më të hershëm të vendeve kandidate në politika të caktuara të BE-së. Kjo do të përfshinte sektorë strategjikë si energjia, transporti, teknologjia digjitale dhe mbrojtja, por pjesëmarrja do të mbetet e kushtëzuar nga progresi në reforma dhe do të mund të tërhiqet në rast regresi.

Brukseli kërkon gjithashtu përdorim më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar në disa faza të negociatave të anëtarësimit, si hapja e grupkapitujve dhe vendimet ndërmjetëse, me synimin për të reduktuar bllokimet politike.

Për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, Komisioni pritet të paraqesë udhërrëfyes orientues në kuadër të Paketës së Zgjerimit 2026, me kusht që këto vende të ruajnë ritmin e reformave.

Një element i rëndësishëm i paketës është se monitorimi i shtetit të së drejtës do të vazhdojë edhe pas anëtarësimit. Komisioni ka nisur tashmë përfshirjen graduale të vendeve kandidate në Raportin vjetor për Shtetin e së Drejtës, ku Shqipëria është një nga vendet e monitoruara.