Kurti po i ofron “ujë në shoshë” opozitës

04 Oct 2026 • 21:49
Shpërndaje:

Në kulmin e një krize të pashoqe dyvjeçare, kur Albin Kurti nuk formon dot qeverinë dhe nuk zgjedh dot presidentin, ai ka mundur të gjejë një zgjidhje perverse, e cila bashkon naivitetin e opozitës dhe djallëzinë e tij për një çështje të ndjeshme popullore, që ka lidhje me dënimin e katër udhëheqësve të lartë të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

Ai ka rënë dakord që në seancën e ditës së hënë të shqyrtohet një projektligj për Gjykatën Speciale, i cili vendos kufizime të rëndësishme në veprimtarinë e mëtejshme të Gjykatës, por, në thelb, nuk ka asnjë garanci se zhbën dënimet e udhëheqësve të UÇK-së. Përkundrazi, e fut edhe më tej Kosovën në spiralen e konfliktit me Perëndimin, çka është edhe një tipar i identitetit politik të Albin Kurtit.

PDK-ja ka një interes të drejtpërdrejtë politik dhe emocional në çështjen e Speciales. Ish-drejtuesit kryesorë të saj dhe të UÇK-së janë gjykuar në Hagë dhe ndryshimi i ligjit paraqitet si një përpjekje për të korrigjuar atë që PDK-ja e konsideron tejkalim të mandatit të Gjykatës. Për këtë arsye, mbështetja e Kurtit për nismën mund të shitet si një koncesion i madh ndaj PDK-së.

Reklamë Ola

Por, nëse shihet më me kujdes, mund të jetë pikërisht e kundërta.

Kurti mund të marrë prej kësaj marrëveshjeje atë që i duhet menjëherë, rrugëdaljen nga kriza e zgjedhjes së presidentit. Kurse PDK-ja, nga ana tjetër, merr “ujë në shoshë”, siç i thonë në Shqipëri kur dikush është i etur dhe kërkon ujë nga kundërshtari. Në vend të një gote të mbushur, ai të ofron ujë në një enë të shpuar, prej së cilës asgjë nuk mbërrin në buzët e tua.

Reklamë InterMedika

Ligji nr. 05/L-053 prek drejtpërdrejt juridiksionin e Dhomave të Specializuara, dënimet, apelimin dhe ekzekutimin e vendimeve, por Gjykata Speciale nuk është krijuar vetëm me një ligj të zakonshëm të Kuvendit të Kosovës. Arkitektura e saj mbështetet mbi ndryshimet kushtetuese të vitit 2015 dhe mbi angazhimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, ndryshimi i ligjit nuk do të thotë domosdoshmërisht ndryshim efektiv i mandatit të Gjykatës.

Këtu qëndron kurthi politik.

Nëse ndryshimet miratohen dhe më pas përballen me kundërshtimin e BE-së, me një kontroll kushtetues ose me pamundësinë juridike për të prodhuar efekte mbi proceset në Hagë, Kurti mund të thotë se ai e mbështeti nismën. Përplasja politike me partnerët ndërkombëtarë dhe zhgënjimi për mungesën e rezultateve konkrete do t’i mbeten kryesisht PDK-së.

Albin Kurti po i jep opozitës një votë për një ligj, por jo domosdoshmërisht rezultatin që PDK-ja kërkon prej atij ligji. Pas kësaj, Albin Kurti është i larë dhe luftën që ka drejtuar vetë kundër Perëndimit, qyshkurse ka ardhur në pushtet, ua delegon prej nesër e tutje kundërshtarëve të tij, duke larë duart si Pilati.

Kurti e zhvendos PDK-në nga pozita e opozitës në pozitën e bashkëpërgjegjëses për një vendim të madh shtetëror. Deri dje, PDK-ja mund ta kritikonte qeverinë për marrëdhëniet me aleatët perëndimorë. Pas miratimit të një ligji që prek një prej angazhimeve më të ndjeshme ndërkombëtare të Kosovës, ajo vetë mund të gjendet në qendër të debatit me Bashkimin Evropian.

Kjo është dhe pjesa më tinëzare e marrëveshjes. Albin Kurti hyn në këtë betejë me një rezultat të sigurt për veten, ndërsa opozita bëhet pjesë e një mekanizmi që i ngarkon asaj mëkatet e Albin Kurtit.

Katër udhëheqësit e UÇK-së e miratuan Gjykatën Speciale me vetëdijen se kjo do të kishte pasoja. Ajo që ndodhi me ta është një shtazëri e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Hagës, e cila nuk ka shanse të zhbëhet nga nisma populiste e Kuvendit të Kosovës. E vetmja gjë që mund të bëjë kjo nismë është ta ulë edhe më tej reputacionin e Kosovës në Perëndim dhe t’i shërbejë kauzës së Albin Kurtit për t’u bërë i gjithëpushtetshëm në Kosovë dhe i armatosur edhe me opozitën kundër Perëndimit.

Mekanizmi për të liruar në të ardhmen katër udhëheqësit e UÇK-së është një betejë e fortë ligjore në apel dhe një lobim më i fuqishëm ndërkombëtar në Perëndim, te faktorët politikë që ndikojnë mbi Gjykatën Speciale. Karshillëku populist i Kuvendit të Kosovës e lë Kosovën edhe pa opozitë, edhe me krerët e UÇK-së në burg, duke e thelluar përplasjen me Perëndimin.

Mënyra se si katër udhëheqësit e UÇK-së kanë mbërritur në Hagë dhe i kanë qëndruar përballjes me drejtësinë është shembullore dhe u ka bërë nder atyre dhe Kosovës. Beteja ende nuk ka mbaruar, por gjyqi provoi se Kosova nuk ka kryer krime kundër njerëzimit dhe broçkullat e Dick Martyt për transplant organesh janë hedhur në kosh të plehrave.

Të hënën në Parlament, Kosova nuk ka për të fituar asgjë më shumë sesa armiqësinë e Gjykatës dhe të Perëndimit, duke u shfaqur si një shtet i papjekur që shkel marrëveshjet e tij me Perëndimin. Ndërsa brenda vendit do ta humbasë përfundimisht opozitën, duke e kthyer Albin Kurtin në një udhëheqës të plotfuqishëm, i cili tani ka edhe disa opozitarë si musketierë kundër Perëndimit, pasi u ka ofruar një gotë me ujë në shoshë për të shuar zemërimin e tyre me Gjykatën Speciale.