Von der Leyen: Shqipëria ka përmbushur mbi 80% të hapave të Planit të Rritjes

30 Sep 2026 • 18:47
Shpërndaje:

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar vijimin dhe zbatimin e plotë të reformave në Shqipëri, duke vënë theksin te sistemi gjyqësor, mbrojtja e mjedisit dhe rezultatet konkrete që këto ndryshime duhet të sjellin për qytetarët.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Von der Leyen tha se Shqipëria po ecën mirë në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor.

“Reformat duhet të zbatohen tërësisht. Është e rëndësishme që ato të sjellin ndryshime tek qytetarët e Shqipërisë”, deklaroi presidentja e Komisionit Europian.

Reklamë Ola

Ajo përmendi veçanërisht nevojën për përparim të mëtejshëm në kapitujt e negociatave që lidhen me kuadrin gjyqësor dhe mbrojtjen e mjedisit, duke e cilësuar natyrën e Shqipërisë si një aset që duhet ruajtur.

Von der Leyen u ndal edhe te Plani i Rritjes, një instrument prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor që synon të mbështesë reformat, investimet dhe integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët europian. 

Reklamë InterMedika

Sipas saj, Shqipëria ka përmbushur mbi 80% të hapave të parashikuar dhe deri tani ka përfituar 213 milionë euro nga Bashkimi Europian.

Presidentja e Komisionit përmendi gjithashtu përfshirjen e Shqipërisë në zonën SEPA, duke e paraqitur atë si një shembull të integrimit gradual të vendit në strukturat europiane përpara anëtarësimit të plotë.

Një tjetër objektiv është ulja e mëtejshme e tarifave roaming mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së. Komisioni Europian ka propozuar hapjen e negociatave për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në skemën europiane “Roam Like at Home”, megjithëse aktualisht nuk ka një afat përfundimtar për përfundimin e procesit. 

“Do të rikthehem në Shqipëri kur të arrijmë roaming-un falas, ju premtoj”, tha Von der Leyen.

Ajo theksoi në fund se përgatitjet për zgjerimin nuk zhvillohen vetëm në vendet kandidate, por edhe brenda vetë Bashkimit Europian, ndërsa Brukseli po punon për hapat e ardhshëm të integrimit të Ballkanit Perëndimor.