Komisioni Europian po shqyrton ndryshime të thella në sistemin e rekrutimit të nëpunësve të Bashkimit Europian, ndërsa një nga skenarët që po diskutohet është edhe shkrirja e Zyrës Europiane të Përzgjedhjes së Personelit, EPSO.
Sipas POLITICO Brussels Playbook, diskutimet zhvillohen në një kohë kur institucionet europiane po përballen me presione buxhetore, ndërsa sistemi aktual i konkurseve është kritikuar për vonesa dhe probleme teknike. Dy zyrtarë të BE-së i kanë thënë medias se në tryezë janë edhe ndryshime rrënjësore të modelit aktual.
EPSO, e krijuar në vitin 2002, organizon proceset e përzgjedhjes për personelin e përhershëm të institucioneve të BE-së. Kandidatët që kalojnë konkurset vendosen në lista rezervë, prej të cilave institucionet, organet dhe agjencitë europiane mund të rekrutojnë staf.
“Një skenar është thjesht të heqim qafe EPSO-n”, ka deklaruar në kushte anonimiteti një zyrtar i BE-së i përfshirë në diskutimet për reformën, sipas POLITICO-s.
Një prej problemeve që ka nxitur debatin është numri jashtëzakonisht i lartë i aplikimeve. Konkursi i fundit i përgjithshëm AD5 tërhoqi fillimisht 174,922 aplikantë, një shifër që tejkaloi pritshmëritë e EPSO-s. Të dhënat përfundimtare u rishikuan më pas në 174,727 kandidatë.
Sipas një prej zyrtarëve të cituar nga POLITICO, menaxhimi i një konkursi të këtyre përmasave është bërë jashtëzakonisht i vështirë dhe kostoja e organizimit të provimeve masive konsiderohet joproporcionale me rezultatet që prodhon sistemi.
Edhe vetë EPSO kishte pranuar më herët se numri i paprecedentë i aplikantëve e kishte detyruar të shqyrtonte skenarë dhe afate alternative për zhvillimin e testimeve. Procedura për konkursin AD5 u ndryshua më pas, duke i ndarë provimet në dy faza, me pjesën e dytë të testimeve të parashikuar për vitin 2027.
Një tjetër zyrtar europian e ka cilësuar modelin aktual si një sistem që po “arrin kufijtë e tij”, duke vënë në dukje se procedurat e rekrutimit mund të zgjasin dy deri në tre vjet. Sipas tij, po shqyrtohen ide që mund të ndryshojnë ndjeshëm mënyrën se si BE përzgjedh nëpunësit e saj.
EPSO është përballur edhe me kritika pas problemeve teknike në konkurse të mëparshme, të cilat kanë sjellë vonesa dhe në disa raste përsëritje të testimeve.
Megjithatë, jo të gjithë mbështesin mundësinë e shkrirjes së zyrës. Cristiano Sebastiani, përfaqësues i sindikatës së stafit të BE-së Renouveau et Démocratie, argumenton se EPSO duhet të reformohet dhe të përmirësojë mënyrën e rekrutimit, por jo të eliminohet.
Sipas tij, institucioni vazhdon të ketë rol në ofrimin e ekspertizës për shërbimet europiane gjatë proceseve të punësimit, ndërsa shkrirja e plotë do të dërgonte një mesazh të gabuar te qytetarët që synojnë një karrierë në institucionet e BE-së.


