Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, priti sot në Kuvendin e Shqipërisë Anton Hofreiter, Kryetarin e Komitetit për Çështjet e Bashkimit Europian në Bundestagun gjerman.
Në qendër të takimit ishte ecuria e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, avancimi i negociatave për anëtarësim dhe bashkëpunimi i ngushtë me Gjermaninë në mbështetje të këtij procesi.
Balla vlerësoi rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bundestagut dhe Qeverisë Federale të Gjermanisë ndaj Shqipërisë, duke nënvizuar rëndësinë e këtij partneriteti në rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Europian.
“Mirënjohje Bundestagut dhe Qeverisë Federale për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin europian të Shqipërisë. Ecim përpara drejt përmbylljes së negociatave brenda vitit 2027”, u shpreh Balla.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mbi vijimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit, forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rëndësinë e mbështetjes së mëtejshme të partnerëve europianë për avancimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.
Shqipëria mbetet e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i negociatave, me synimin për të avancuar në mënyrë të qëndrueshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.


