Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 106 vota pro pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura shqiptare në operacionin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.
Projektligji mori mbështetjen e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, pa asnjë votë kundër apo abstenim, pavarësisht tensioneve që shoqëruan seancën plenare.
Ligji i hap rrugën Shqipërisë të kontribuojë me deri në 40 ushtarakë në misionin ndërkombëtar në Gaza, të ngritur në kuadër të Bordit të Paqes.
Ushtarakët shqiptarë do të mund të angazhohen në detyra që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin, mbrojtjen e personelit dhe infrastrukturës, mbështetjen e operacioneve humanitare, si dhe monitorimin dhe raportimin e situatës së sigurisë.
Pas votimit reagoi ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili e cilësoi vendimin si kalimin e angazhimit të Shqipërisë për paqen në një kontribut konkret në terren.
“Një vendim që e shndërron angazhimin e Shqipërisë për paqen në një kontribut konkret në terren”, shkroi Nufi.
Ministri theksoi gjithashtu partneritetin me Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se Shqipëria, si aleate, qëndron përkrah Uashingtonit në përpjekjet për paqe dhe siguri ndërkombëtare.
Angazhimi shqiptar është pjesë e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, e parashikuar në kuadër të nismës së Bordit të Paqes për Gazën.
Misioni synon të kontribuojë në stabilizimin e situatës së sigurisë dhe krijimin e kushteve për operacionet humanitare dhe procesin e rimëkëmbjes së Gazës.


