Të bashkuar kundër COVID-19, Merkel: Të përmirësohen procedurat e veprimit të OBSH-së
Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi të hënën se pandemia e coronavirusit mund të tejkalohet më shpejtë nëse bota punon së bashku për ta frenuar atë.
“Mënyra se si përballemi me këtë ndryshim do të karakterizojë shoqëritë tona si dhe komunitetin ndërkombëtar. Jam e bindur se do ta tejkalojmë pandeminë e coronavirusit. Sa më shumë të punojmë së bashku, aq më shpejtë do ta arrijmë këtë objektiv”, tha kancelarja e Gjermanisë
Merkel nënvijëzoi se është e nevojshme të shihet nëse procedurat e veprimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë mund të përmirësohen.
“OBSH-ja është institucioni legjitim global ku të gjitha fijet bashkohen. Dhe ajo që duhet të bëjmë është të shohim se si mund të përmirësojmë më tej funksionimin e saj. Kjo përfshin edhe garantimin e një financimi të qëndrueshëm”, tha kancelarja Merkel
Deklaratën e saj, Merkel e bëri në një video mesazh drejtuar takimit të Asamblesë së Organizatës Botërore të Shëndetësisë.