Shqipëri, konfirmohen 15 raste të reja me COVID-19
Në Shqipëri numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) është rritur në 964 me konfirmimin edhe të 15 rasteve të reja.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 186 qytetarë si të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe janë konfirmuar pozitivë 15 raste, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 964 qytetarë. Prej tyre, rreth 79 për qind janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 175 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë dhe Shkodër”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Deri tani në Shqipëri janë kryer 13.621 testime dhe janë shëruar 758 pacientë, ndërkohë gjithsej 31 persona kanë humbur jetën nga COVID-19.
Për shkak të COVID-19 në Shqipëri vazhdon gjendja e fatkeqësisë natyrore, ku janë në fuqi disa nga masat, si ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve, pezullimi i transportit urban dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në disa qytete.
Prej disa javësh ka filluar zbatimi i strategjisë së rihapjes dhe lehtësimit të masave për qytetarët dhe bizneset. Në vend kanë rifilluar aktivitetet fetare në xhamitë e vendit, janë hequr kufizimet e lëvizjes në disa qytete, janë hapur baret dhe restorantet vetëm në ambiente të hapura dhe janë hapur muzetë, bibliotekat dhe arkivat, si dhe lejohen stërvitjet e sportistëve në ambiente të hapura.
Eunews.al