sfidat e Shqipërisë pas Konferencës së Donatorëve të BE-së
Në përfundim të Konferencës së Donatorëve, Shqipërinë gjatë rindërtimit e presin tre sfida. Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj duke folur nga Bruksel, është shprehur: “Sfida për rindërtimin është transparenca, shpejtësia dhe efikasiteti i përdorimit të fondeve.”
Me “sfidë të shpejtësisë” ministri Ahmetaj nënkupton rikthimin në banesat e reja të të gjithë shqiptarëve të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Transparenca ka të bëjë me mundësinë që i jepet të gjithë donatorëve që të kenë në kontroll çdo hap në procesin e Komisionit Shtetëror të Rindërtimit.
Ky komision përbëhet nga të paktën 8 ministra dhe nga dy institucionet zbatuese: Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Tiranës për territorin e vet. “Prokurimet do të jenë ndërkombëtare dhe në sy të të gjithë publikut”- garanton ministri Ahmetaj.
Ndërsa mënyra e auditimit është lënë në zgjedhjen e vetë donatorëve. “Donatorët do të kenë të drejtë të zgjedhin audituesin që do të kontrollojnë përdorimin e fondeve. Ndërsa ne kemi si detyrim dy audite që janë auditet e brendshme dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit”, tha z. Ahmetaj.
Ministri shprehet optimist mbi parashikimet për rritjen ekonomike të vendit. “Jam i bindur se me programin e rindërtimit dhe me gjithë setin e ri të reformave, rritja ekonomike 2020-2021 do të jetë më e madhe se sa ajo që ka parashikuar Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar”, përfundoi Ahmetaj.
Eunews.al