×
Thursday, June 18, 2020

“Rusia mbështet hapat drejt një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës”

June 18, 2020

“Do të mbështesim të gjitha hapat dhe iniciativat të cilat do të ndihmojnë Beogradin dhe Prishtinën të arrijnë zgjidhje të pranueshme reciproke të bazuar në Rezolutën 1244 të KS-OKB-së”, tha shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov.

Qëndrimi i Rusisë për çështjen e Kosovës nuk ka ndryshuar dhe sot ne kemi konfirmuar edhe një herë se do të mbështesim të gjitha hapat që do të ndihmojnë në arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme reciproke, tha ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov në Beograd.

“Qëndrimi i Rusisë për çështjen e Kosovës nuk ndryshon dhe sot ne kemi konfirmuar dhe një herë se do të mbështesim të gjitha hapat dhe iniciativat që me të vërtetë do të ndihmojnë Beogradin dhe Prishtinën të arrijnë një zgjidhje reciproke të pranueshme në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Lavrov.

Në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Lavrov tha se Rusia nuk do të lejojë kurrfarë afate për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ai shtoi se Rusia niset nga fakti se Bashkimi Evropian i cili ka mandatin të jetë ndërmjetës në dialog nuk duhet të “izolohet” nga detyrimet e saj dhe se zgjidhja duhet të konfirmohet në KS të OKB-së.

Lavrov tha se me Vuçiç kanë diskutuar temat rajonale, por gjithashtu diskutuan përvjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe theksoi se ai nuk do të lejojë relativizimin e ngjarjeve në Ballkan, as gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kryediplomati rus tha se Serbia dhe Rusia kanë një bashkëpunim veçanërisht të intensifikuar në fushën e energjisë dhe se ata kanë një bashkëpunim shumë të suksesshëm ushtarako-teknik. Sipas tij, Rusia vlerëson bashkëpunimin me Serbinë në luftën kundër koronavirusit (COVID-19).

Lavrov shtoi se Vuçiç do të jetë në Moskë javën e ardhshme dhe se ka një dialog shumë aktiv midis Kishave Ortodokse Ruse dhe Serbe në ruajtjen e paqes dhe vlerave tradicionale, simboli i unitetit i të cilit është tempulli i Shën Savës në Beograd.

Presidenti serb Vuçiç foli për Kosovën si një temë kryesore duke shtuar se mori vlerësime nga Lavrov për këtë çështje, e cila “si president i Serbisë, i ka shkaktuar shqetësime shtesë që kanë të bëjnë rreth planeve dhe ideve të ndryshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

“Nuk dua të mashtroj askënd dhe padyshim se na pret një periudhë e vështirë në të cilën do të përballemi me një trysni të madhe për t’u realizuar disa plane që nuk i kemi marrë zyrtarisht ose jozyrtarisht, dhe sipas miqve tanë rusë do të duhet të jemi syhapur dhe të kujdesshëm në ndjekjen e çdo ideje që na prezantohet”, deklaroi Vuçiç.

Ai falënderoi Rusinë për mbështetjen e saj në KS të OKB-së në ruajtjen e integritetit të saj territorial dhe për faktin se Rusia dhe Serbia mbrojnë organizatat dhe institucionet ndërkombëtare nga “paligjshmëria dhe ndikimi i atyre që njohën pavarësinë e Kosovës”.

“Për çfarëdo zgjidhje kërkohet gjithmonë pëlqimi i Rusisë për shkak të KS të OKB-së, por gjithashtu sepse ne nuk duam që të gjithë të konsultohen dhe të pyeten dhe se askush të mos e pyes Rusinë për ndonjë gjë”, tha Vuçiç.

I pyetur nëse Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës nëse merr diçka në kthim, Vuçiç tha: “Nëse mendoni se ne po themi se Kosova duhet të anëtarësohet në OKB dhe ne të mos marrim asgjë, por ata të na thonë se ju do të bëheni anëtar të BE-së, përgjigjja jonë është jo”.

Vuçiç potencoi se bashkëpunimi midis dy vendeve është i mirë por mund të jetë edhe më i mirë, duke përmendur bashkëpunimin tekniko-ushtarak si dhe projektet e përbashkëta.

Ai tha se ka kërkuar mbështetjen e Rusisë për Kishën Ortodokse Serbe dhe shprehu besim se ardhja e presidentit rus, Vladimir Putin në hapjen e Tempullit të Shën Savës do të forconte më tej pozicionin e njerëzve, vendit dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Më herët, Lavrov u prit në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, me të cilin Lavrov do të takohet më vonë gjatë ditës ndërsa të dy do të vendosin kurora lulesh në kompleksin përkujtimor të çlirimtarëve të Beogradit dhe Ushtrisë së Kuqe.

Poashtu Lavrov dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviç do të nënshkruajnë sot Marrëveshjen midis Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Rusisë për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për