×
Wednesday, March 22, 2023

Rezoluta e Kuvendit për antisemitizmin tërheq vëmendjen e medias ndërkombëtare

October 23, 2020




Miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i rezolutës ”Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit” (IHRA) ka tërhequr vëmendjen e medias së njohur ndërkombëtare dhe jo vetëm.

”Parlamenti shqiptar miratoi përkufizimin operativ të antisemitizmit të Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, duke e bërë vendin një nga shtetet e para me shumicë myslimane që e miratoi atë”, shkruan gazeta e njohur izraelite “The Jerusalem Post”.

IHRA, një organizatë ndërqeveritare me 34 vende anëtare, ka krijuar një konsensus ndërkombëtar për një përkufizim operativ të antisemitizmit.

“Vendimi i së enjtes i paraprin Forumit të ardhshëm Ballkanik kundër Antisemitizmit, organizuar nga Parlamenti shqiptar, Lëvizja për Luftën ndaj Antisemitizmit dhe Agjencia Hebraike për Izraelin”, thekson gazeta.

Ndërkohë, edhe Komiteti Amerikan i Hebrenjve (AJC) vlerësoi Shqipërinë për miratimin e kësaj rezolute.

“Ky është një hap i rëndësishëm në luftën globale kundër antisemitizmit në rritje, kërcënimi më i madh që paraqitet ndaj vlerave demokratike dhe liberale”, tha kreu i i AJC-së David Harris.

“Ne gjithmonë do të çmojmë kujtimin e mbrojtjes fisnike që u është dhënë hebrenjve të rrezikuar nga Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha Harris.

“Associated Press” tha se “Parlamenti shqiptar miratoi një rezolutë që bashkon përpjekjet globale për të luftuar antisemitizmin.

“Parlamenti votoi unanimisht për të miratuar përkufizimin e antisemitizmit nga Aleanca Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit (IHRA), duke u bërë vendi i dytë me shumicë myslimane që e miratoi atë, pas Kosovës”, shton AP.

Lëvizja “Lufto antisemitizmin” (CAM), me qendër në Nju Jork, e quajti aktin e Shqipërisë një “vendim historik” dhe u kërkoi vendeve të tjera t’i bashkohen asaj.

“Në një kohë kur antisemitizmi po rritet në të gjithë botën, përkufizimi i IHRA-së nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm. Jo vetëm që përcakton saktësisht se si duket urrejtja hebreje, por miratimi i përkufizimit të IHRA-së bën të qartë se antisemitizmi nuk ka vend në shoqëri të lira, demokratike dhe tolerante si Shqipëria”, tha kreu i CAM-it, Sacha Roytman-Dratwa.

Gazeta e njohur amerikane “The Washington Post” përshëndet miratimin e rezolutës dhe kujton se ”forcat gjermane naziste pushtuan Shqipërinë nga shtatori 1943 deri në nëntor 1944, kur u dëbuan nga partizanët komunistë vendas. Sidoqoftë, Shqipëria mburret se ishte i vetmi vend ku asnjë hebre nuk u vra ose nuk iu dorëzua nazistëve”.

“Popullsia hebreje e vendit u rrit nga 200 para Luftës së Dytë Botërore në më shumë se 3 000 deri në fund të saj, pasi shqiptarët mbronin miqtë e tyre hebrenj dhe ndihmonin hebrenjtë e tjerë që ikën nga Gjermania dhe Austria duke i nisur ata jashtë vendit ose duke i fshehur në shtëpi”, shton ajo.

“Një komunitet i vogël hebre që jetonte në Shqipëri u largua nga vendi për në Izrael menjëherë pas rënies së regjimit komunist në 1991. Javën e ardhshme, forumi i parë ballkanik kundër antisemitizmit do të mbahet në Shqipëri’’, thekson gazeta.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments