×
Saturday, June 3, 2023

Regjistrohet rasti i parë i konfirmuar i koronavirusit në Maqedoninë e Veriut

February 26, 2020



Në Republikën e Maqedonisë e Veriore është regjistruar rasti i parë i konfirmuar, ndërsa autoritetet kanë informuar se bëhet fjalë për një paciente të lindur në vitin 1970, e cila kishte qëndruar në Itali për ca kohë.

Kryeministri i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut Oliver Spasovski, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce dhe Dr. Zharko Karaxhoski nga Instituti i Shëndetit Publik në Shkup mbajtën një konferencë të përbashkët për media në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

“Arritën rezultatet për pacienten e cila sot në orët e hershme të mëngjesit ishte hospitalizuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive. Pacientja është pozitive në virusin Covid-19, që do të thotë se ajo është pacientja e parë në Shkup e diagnostikuar me këtë sëmundje. Dua të përsëris atë që kemi thënë gjatë gjithë kësaj kohe, se nuk ka vend për panik. Pacienti ndodhet në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup, në departamentin e izolimit. Trajtohet në përputhje me gjendjen e saj”, tha ministri Filipce.

Sipas tij, analizat treguan se pacientja kishte qenë në Itali për një muaj, për shëtitje dhe për të vizituar të afërmit. Filipçe informoi se ajo kishte qenë e sëmurë për dy javë dhe fillimisht ishte trajtuar në një institucion shëndetësor italian, por atje nuk ka qenë pozitive në testin për koronavirus.

“Praktikisht, menjëherë pasi hynë në vendin tonë, ata menjëherë janë drejtuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup. Kjo na jep të drejtën të mendojmë se inkubacioni ka përfunduar qëmoti dhe se në kohën e transportit, me njerëzit që është transportuar, nuk ka paraqitur rrezik për transmetimin e sëmundjes”, tha Filipçe, duke shtuar se institucionet ndjekin të gjitha protokollet.

Ministri gjithashtu tha se po bëhen kontrolle të të gjithë pasagjerëve që janë transportuar me pacienten dhe se ata do të testohen dhe vendosen në karantinë 14 ditore.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që vijnë nga Italia të respektojnë masat që do t’u jepen atyre në vendkalimet kufitare.

Ministri Filipçe gjithashtu tha se një rast i koronavirusit është diagnostikuar edhe në Greqi, kështu që ata janë në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë së Greqisë, Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë dhe se po ndërmerren të gjitha masat paraprake.

Dr. Zharko Karaxhoski informoi se një ekip ekspertësh nga Instituti i Shëndetit Publik i Klinikës për Sëmundje Infektive në Shkup po kryen një studim epidemiologjik dhe po heton gjendjen shëndetësore të një personi të diagnostikuar me Covid-19.

“Morrëm informatë se personi ka lindur në vitin 1970 në territorin e Shkupit dhe ka qenë në Itali për një periudhë të gjatë kohore”, tha Karaxhoski.

“Një person pozitiv që është vendosur në institucionet eduhura nuk paraqet rrezik për pjesën tjetër të popullatës. Prandaj, ju lutemi dërgoni porosi qetësuese, ekipet mjekësore janë të gatshëm t’u përgjigjen çdo nevoje. Ajo që për mua është e rëndësishme, është që popullata mund të jetë e qetë, ne po menaxhojmë me situatën. Asgjë nuk na ka habitur”, mjeku Karaxhoski.

Nga ana tjetër, kryeministri Spasovski theksoi se në këtë moment, më e rëndësishme është që situata është nën kontroll.

“Të gjitha shërbimet shtetërore janë plotësisht të gatshme t’u përgjigjen këtyre kushteve që zhvillohen. Për këtë, ju siguroj se nuk ka asnjë arsye për ndonjë panik sepse është vendosur kontrolli. Sistemet janë plotësisht të përgatitura”, tha Spasovski.

“U bëj thirrje qytetarëve që të zbatojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila vepron ekskluzivisht në bazë të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, shtoi kryeministri.

Kujtojmë se nga 27 janari në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit janë zbatuar masat parandaluese kundër koronavirusit. Të gjitë pasagjerët që arrijnë në këtë aeroport, skanohen me kamera termike, ndërsa janë aktivizuar edhe ekipet mjekësore.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë së këtij Kinës, ku fillimisht u paraqit koronavirusi i ri, ka informuar sot se numri i vdekjeve është rritur në 2,717.

Komisioni gjithashtu tha se 78.064 persona aktualisht janë nën kujdesin mjekësor, ndërsa numri i pacientëve të liruar arrin rreth 29.745.

Jashtë Kinës, ka 85 raste të regjistruara në Hong Kong dhe 10 të tjera në Macau.

Koronavirusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në mbi 25 vende tjera, përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Singaporin, Francën, Rusinë, Spanjën dhe Indinë.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments