×
Saturday, April 18, 2026

Rama thirrje shqiptarëve në Greqi: Investoni dhe punoni në Shqipëri, ka paga më të larta

May 3, 2025


Kryeministri njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i bëri apel sot qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi të kthehen të investojnë në Shqipëri si dhe të punojnë, pasi do të marrin paga më të larta.

Në takimin përmbyllës elektoral në Gjirokastër, Rama tha se “para se të vinim këtu isha me disa djem të kthyer nga Greqi që kanë këtu bujtina, restorante. Sot problem i tyre nuk është më se, a të rrinë a të ikin, as a kanë apo s’kanë punë për të kthyer investimin që kanë bërë me kursimet e tyre. Sot është problem i tyre nuk është as se nuk kanë mundësi t’i paguajnë punonjësit, ata të cilët duhet të hapin derën të përgatisin ushqimin, të presin miqtë. Sot problem i tyre është si t’i bindin shumë gjirokastritë, tepelenas memaliotë këlcyriotë, dropullitë apo libohovitë dhe përmetarë që ndërkohë që rropaten në Greqi, që të kthehen këtu dhe të marrin paga më të mira se sa ato që marrin në Greqi dhe unë dëgjova konkretisht, ata janë njerëz konkretë, janë realitet konkret”.

“Nuk janë vetëm ata sot e gjithë industria e re e turizmit është e gatshme të paguajë më mirë se në Greqi, dhe përfitoj nga rasti këtu se e di që po ndjekin edhe nga Greqia shumë bashkëqytetarë për t’u thënë se, duhet ta besoni këtë gjë, nuk duhet të dëgjoni zhurmën e quak-quak të kënetës. Nuk duhet të pini ujin e kënetës as në mëngjes dhe sidomos në darkë kur përhapen në ato berberhanet e natës të gjithë ata që mbajnë titullin analistë”, nënvizoi Rama.

Nuk janë asgjë tjetër, vijoi Rama, përveç se njerëz që jetojnë në një realitet të krijuar prej tyre me gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha dhe nuk kanë asnjë lidhje me realitetin e ndërtuar prej nesh së bashku.

“Prandaj ata nuk arrijnë ta kuptojnë që të gjitha sondazhet e opinionit dhe përfshirë edhe nga sondazhisti i Trump thonë se shumica e shqiptarëve mendojnë se Shqipëria po ecën në drejtimin e  duhur, shumica e shqiptarëve do të votojë PS-në dhe thonë se një shumicë edhe më e madhe se ajo që do votojë PS-në thotë që fituesi i 11 majit është PS. Nuk e kuptojnë dot pse. Nuk e kuptojnë dot se ata janë kori i bretkosave që i thotë shqiptarëve çdo natë që këtu ka vetëm vrasje, krim dhe këtu ka vetëm varfëri që këtu s’ka bukë, s’ka ujë, s’ka punë, s’ka biznes. Realiteti është krejt tjetër”, tha Rama.




Comments are closed.