×
Sunday, July 26, 2026

Rama prezanton para Grupit të PS-së dy dokumente strategjike për mandatin e katërt

July 24, 2026


Kryeministri Edi Rama ka prezantuar para Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dy dokumente strategjike, të cilat, sipas tij, do të shërbejnë si udhërrëfyes për mandatin e katërt qeverisës dhe rolin e PS-së në zbatimin e tij.

Pas transmetimit të një videoje, që e cilësoi si një reflektim mbi “bulevardin e flamingove”, Rama tha se dokumentet janë rezultat i analizës së tij mbi mesazhet që, sipas tij, përcolli muaji qershor.

“Sot dua t’ju flas për çfarë pamë dhe dëgjuam gjatë muajit qershor, kur bulevardi u mbush nga njerëz nga të gjitha rrugët e jetës, kategoritë shoqërore, moshat dhe kur një shpend i rrallë, i bukur dhe i brishtë u bë simbol i vëmendjes më të madhe që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë”, u shpreh Rama.

Kryeministri bëri të ditur se dokumenti i parë përmban strategjinë për kthesën që synon të realizojë qeveria gjatë mandatit të katërt, ndërsa dokumenti i dytë përcakton mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë këtë proces.

“Kam sjellë sot me vete dy dokumente. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar e ndryshuar, në mënyrë që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre. I pari është dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në qeverisje. I dyti është një aneks se si PS duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të katërt”, deklaroi Rama.




Comments are closed.