×
Tuesday, June 16, 2026

Rama në Berlin, fjalim për integrimin europian dhe takime me drejtues të kompanive kryesore të Europës Lindore

June 16, 2026


Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, një nga forumet më të rëndësishme të dialogut ekonomik dhe politik mes Gjermanisë dhe vendeve të Europës Lindore.

Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, gjatë vizitës së tij në Gjermani, Rama do të zhvillojë takime me anëtarët e bordit të Komisionit të Bllokut Lindor dhe me drejtues ekzekutivë të kompanive më të rëndësishme të rajonit.

Takimet synojnë të promovojnë mundësitë e investimeve në Shqipëri, përmirësimin e klimës së biznesit dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal.

Në mbrëmje, kryeministri do të mbajë fjalimin kryesor në sesionin qendror të konferencës me temën: “E ardhmja europiane e Shqipërisë, reforma, qëndrueshmëria dhe inovacioni në një peizazh gjeopolitik në ndryshim”.

Diskutimi do të moderohet nga Michael Harms, ndërsa pjesë e prezantimit do të jetë edhe Diella, ministrja e parë e krijuar me Inteligjencë Artificiale. Pas fjalimit, Rama do t’u përgjigjet pyetjeve të pjesëmarrësve të konferencës.

Vizita do të vijojë më 17 qershor me një takim mes kryeministrit shqiptar dhe ministres federale gjermane për Çështjet Ekonomike dhe Energjinë, Katherina Reiche.

Bisedimet pritet të fokusohen në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, investimet në sektorin energjetik dhe ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.




Comments are closed.