×
Tuesday, June 16, 2026

Sula: Mbi 7 mijë inspektime gjatë sezonit turistik, siguria dhe standardet mbeten prioritet

June 16, 2026


Koordinimi mes institucioneve, siguria dhe zbatimi i standardeve europiane ishin në qendër të Konferencës Kombëtare për Turizmin “Adriatik 2026”, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, biznesit dhe strukturave inspektuese. Në aktivitet mori pjesë edhe Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, i cili prezantoi rezultatet dhe sfidat e sistemit inspektues gjatë sezonit turistik.

Në fjalën e tij, Sula theksoi se rritja e vazhdueshme e numrit të turistëve dhe zgjerimi i investimeve në sektorin e turizmit kërkojnë institucione më të forta, më profesionale dhe më të koordinuara.

“Shqipëria po përjeton një rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve, zgjerim të investimeve në sektorin e turizmit dhe zhvillim të destinacioneve të reja turistike. Këto janë tregues pozitivë për ekonominë kombëtare dhe një dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm që vendi ynë ka për t’u konsoliduar si një destinacion turistik i rëndësishëm në rajon dhe më gjerë. Por, paralelisht me këto mundësi, rriten edhe përgjegjësitë tona institucionale”, deklaroi ai.

Kryeinspektori nënvizoi se misioni i sistemit inspektues nuk kufizohet vetëm te evidentimi i shkeljeve apo vendosja e masave administrative, por lidhet me garantimin e sigurisë publike, mbrojtjen e konsumatorit, respektimin e standardeve ligjore, konkurrencën e ndershme dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit turistik.

Sipas Sulës, koordinimi, siguria dhe standardet europiane duhet të shihen si pjesë e së njëjtës përgjegjësi institucionale.

Duke paraqitur të dhënat e sezonit turistik 2026, ai bëri të ditur se strukturat inspektuese kanë realizuar 7,018 inspektime në terren, ku janë evidentuar 1,080 raste të mospërputhjes me kërkesat ligjore. Për këto raste janë vendosur 59 masa administrative gjobë dhe janë dhënë 1,021 paralajmërime.

“Megjithatë, këto shifra nuk përfaqësojnë thjesht statistika. Ato përfaqësojnë punën e përditshme të qindra inspektorëve në terren, profesionalizmin, integritetin dhe përgjegjësinë që mbajnë në mbrojtje të interesit publik dhe në garantimin e standardeve që qytetarët dhe vizitorët presin nga institucionet tona”, u shpreh ai.

Sula theksoi se sektori i turizmit përballet me sfida gjithnjë e më komplekse, që lidhen me sigurinë ushqimore, mbrojtjen e shëndetit publik, respektimin e standardeve mjedisore, sigurinë e produkteve dhe shërbimeve, mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe luftën kundër informalitetit.

Ai vuri në dukje se sistemi modern i inspektimit duhet të fokusohet te analiza e riskut dhe parandalimi i problematikave, duke orientuar burimet drejt zonave dhe aktiviteteve me ndikimin më të madh.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua mbrojtjes së mjedisit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të territorit.

“Turizmi shqiptar është i lidhur ngushtë me pasuritë tona natyrore. Cilësia e plazheve, mbrojtja e ekosistemeve, menaxhimi i mbetjeve dhe respektimi i standardeve mjedisore ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e përvojës turistike dhe në imazhin e vendit tonë”, tha ai.

Kryeinspektori theksoi gjithashtu rëndësinë e formalizimit të ekonomisë dhe respektimit të të drejtave të punëmarrësve, duke nënvizuar se një sektor turistik konkurrues nuk mund të mbështetet në informalitet, por në rregulla të qarta, kushte të sigurta pune dhe konkurrencë të ndershme.

Në përfundim, Sula vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe procesit të digjitalizimit, duke theksuar se Shqipëria duhet të ndërtojë një sistem modern inspektimi të bazuar në koordinim, profesionalizëm, transparencë dhe teknologji.

“Objektivi ynë afatgjatë duhet të jetë ndërtimi i një kulture të re përputhshmërie. Një kulturë ku biznesi respekton standardet jo nga frika e sanksionit, por sepse i konsideron ato pjesë të suksesit dhe reputacionit të tij”, deklaroi ai.

Sipas Sulës, një turizëm i sigurt, i qëndrueshëm dhe konkurrues ndërtohet përmes bashkëpunimit të të gjitha institucioneve dhe aktorëve të përfshirë, në funksion të garantimit të standardeve europiane dhe zhvillimit afatgjatë të sektorit turistik shqiptar.




Comments are closed.