Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pak orë përpara koncertit të artistit amerikan Kanye West, duke e cilësuar organizimin e tij si një investim strategjik për promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe jo si një shpenzim të panevojshëm.
Në një postim në Facebook, Rama bëri të ditur se stadiumi është gati për koncertin dhe theksoi se eventi do ta vendosë Shqipërinë në hartën globale të adhuruesve të muzikës, duke sjellë vizitorë nga vende të ndryshme të botës.
Kryeministri iu përgjigj kritikave për koston e organizimit, që sipas kundërshtarëve arrin në rreth 4 milionë euro, duke argumentuar se kjo shumë duhet parë si një investim që do të rikthehet përmes turizmit dhe rritjes së konsumit.
“Disa vazhdojnë të flasin për 4 milionë euro shpenzim për një natë, por vetëm kush nuk do s’e kupton që ato 4 milionë janë një investim, i cili do të rikthehet nga mijëra vizitorët që në 48 orët e fundit janë shtuar në hotelet, apartamentet, restorantet, baret, dyqanet dhe taksitë. Më shumë se sa 4 milionë do të jenë të ardhurat që do të rikthehen edhe në vetë arkën e shtetit, nga rritja e konsumit”, shkruan Rama.
Ai theksoi se një koncert i kësaj përmase nuk është vetëm një aktivitet artistik, por edhe një mjet i fuqishëm marketingu për vendin.
“Një koncert i këtij artisti nuk është thjesht një ngjarje artistike. Është marketing global për Shqipërinë, një reklamë që do të kushtonte shumë më tepër po të blihej me fushata tradicionale. Kjo është mënyra se si veprojnë vendet më të zhvilluara të Europës,” u shpreh kryeministri.
Rama argumentoi se kultura nuk duhet parë si luks, por si një faktor që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, turizmin dhe punësimin. Si shembull ai përmendi koncertin e Kanye West në Stamboll, i cili sipas tij gjeneroi mbi 100 milionë euro vlerë të shtuar për ekonominë lokale.
Në përfundim, kreu i qeverisë paralajmëroi se anulimi i një eventi të tillë do të dëmtonte imazhin e Shqipërisë, ndërsa organizimi i tij e promovon vendin si një destinacion për evente të mëdha ndërkombëtare.
“Shqipëria nuk fiton duke u fshehur nga bota. Shqipëria fiton duke e sjellë botën në shtëpinë e saj,” përfundoi Rama.