×
Tuesday, July 28, 2020

Rama i qartë me opozitën jashtëparlamentare: Kuvendi në 30 korrik voton hapjen e listave

July 28, 2020

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përfundimit të sotëm të Këshillit Politik, ku palët sërish nuk gjetën një formulë konsensusi mes tyre.

Shefi i qeverisë shqiptare me një shënim në “Twitter”, shprehet se Kuvendi me 30 korrik do të votojë hapjen e listave. Sipas tij, këtë rrugëtim nuk do mund ta pengojë askush, pasi është vullneti i shumicës së shqiptarëve.

Ai i bën të ditur opozitës jashtëparlamentare se risitë kushtetuese nuk janë kundër hapjes së listave dhe koalicioneve.

“Miqve të PD u them shumë thjeshtë: Kuvendi në 30 korrik voton hapjen e listave dhe këtë jo ju, po as ne nuk e ndryshojmë dot, sepse ky është qartësisht vullneti i shqiptarëve edhe përtej partive që sot janë në parlament! Fatmirësisht risitë kushtetuese nuk pengojnë asgjë për ju!
Ju doni lista të hapura 100%!Votimi i 30 korrikut nuk e pengon këtë. Jemi gati ta diskutojmë pa humbur asnjë ditë pas 30 korrikut. Ju doni koalicion parazgjedhor s’e nuk ndaheni dot nga LSI! As këtë s’e pengon votimi i 30 korrikut”, thekson Rama.

Qëndrimin e sotëm të opozitës jashtëparlamentare në Këshillin Politik, Rama e ka cilësuar si pengesë politike. Kryetari i socialistëve shton se opozita nuk ka për qëllim hapjen e listave, por thjesht zvarritjen e këtij procesi.

“Edhe këtë e zgjidhim po të keni vullnet pozitiv. Shkurt, pengesa juaj sot nuk është as kushtetuese, as juridike, po thjesht politike! Ju doni të merrni peng hapjen e listave e të zvarrisni procesin me alibira absurde. Por për këtë s’keni konsensus nga ne dhe mund ta bëni pa ne, siç bëtë kur dogjët mandatet e kur ikët nga zgjedhjet”, shton Rama.

Në fund, kryeministri Edi Rama i bën një ftesë për reflektim opozitës parlamentare, ndërsa shton se nuk është koha për sherre e mosdakordësira, të cilat dëmtojnë rëndë rrugëtimin europian të Shqipërisë.

“Shqipëria është shumë e vogël për sherre e mosdakordësira që zmadhohen nga hiçi dhe pushteti shkon e vjen po Shqipëria mbetet, prandaj mendoni pak më shumë për Shqipërinë dhe pak më pak për sherrin e radhës, se me sherr as keni fituar e as fitoni dot ju, po lëndohet Shqipëria”, shton Rama.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për