Qeveria e Kosovës paralajmëron masa shtesë për parandalimin e COVID-19
Pas takimit të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës emergjente me COVID-19 me Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë, është marrë vendim për miratimin e masave shtesë në ditët në vijim për parandalimin e koronavirusit në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se deri më tani kanë bërë dy skenarë të mundshëm sa i përket parandalimit të pandemisë, një për shtimin e masave parandaluese dhe skenari i dytë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Ai tha se në këtë mbledhje është arritur pajtueshmëri që të vazhdohet me skenarin e parë, shtimin e masave parandaluese dhe rigorozitet të plotë të zbatimit të masave të vjetra.
“Jemi dakorduar që të shkojmë përpara me skenarin 1. Menjëherë sot në një mbledhje online të qeverisë do të votojmë një listë të gjatë të masave shtesë të propozuara nga Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) dhe Ministria e Shëndetësisë. Ministria e Financave ka vënë në dispozicion 9.2 milion euro në bazë të planit të veprimit të përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë për të gjitha blerjet e nevojshme”, tha Hoti.
Kryeministri Hoti tha se ditët ne vijim do të vazhdojnë me asistencën e Policisë si dhe autoriteteve tjera të shqiptojnë gjoba në përputhje me ligjin, teksa shtoi se është e papranueshme që të mos respektohen vendimet e qeverisë deri në atë masë sa të organizohen edhe dasma e ahengje.
“Do ta angazhojmë plotësisht, me asistencë të plotë Policinë, Inspektoratin sanitar, për të shqiptuar gjoba në përputhje me ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse. Dhe, më lejoni të them se nuk do të ketë asnjë lloj tolerance ndaj askujt që nuk i respekton vendimet e Qeverisë. Është e papranueshme që vendimet e Qeverisë janë në fuqi, ndërkohë që inspektorati është në terren, policia është në terren, të organizohen dasma dhe ahengje nëpër qytete dhe fshatra të ndryshme anembanë Kosovës”, tha Hoti.
Në këtë konferencë, kryeministri Hoti tha se në bazë të vlerësime del që 30 për qind e qytetarëve nuk besojnë se COVID-19 është problem real për jetën e tyre. Ndërsa për këtë gjë, ai tha se do të bëjnë storie audio-vizuale se si pacientët përballen me këtë sëmundje, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve.
Në Kosovë deri më tani me koronavirus janë diagnostikuar 4.715 raste, nga të cilat 101 kanë vdekur dhe 2.227 pacientë janë shëruar.
Eunews.al